
A do të bashkohen në një front 4 partitë opozitare që janë ngritur në protesta?
Në mbarë botën, Gjenerata Z po shfaqet si forca më e re e tronditjeve politike. Në shumë shtete, janë pikërisht të rinjtë, fëmijët e epokës së internetit dhe të zhgënjimit të madh, që kanë marrë rrugët, kanë rrëzuar kryeminsitra, kanë sfiduar shtete. Ata nuk përfaqësohen nga partitë e vjetra, nuk duan liderë me fjalime të lodhura, por kërkojnë një rend të ri që nuk sillet rreth fuqisë dhe parave. Ata nuk e pyesin për protokollin; protestojnë siç jetojnë: në mënyrë të papërpunuar, të shpejtë, të sinqertë.
Ndërsa në Shqipëri, ndodhemi në një tjetër kapitull: një qeveri që fundoset çdo ditë në skandale korrupsioni, një drejtësi që ngre aktakuza deri në zemër të kupolës, një parlament që nuk përfaqëson askënd, dhe një shoqëri që duket sikur shikon gjithçka nga xhami i telefonit, pa reagim të organizuar.
Katër protesta, të ndara në kohë, por të njëjta në thelb, janë dëshmi se ka një shqetësim që po fermenton. Të hënën, Partia Demokratike paralajmëron protestë përpara Kryeministrisë. Ndërkohë, Adriatik Lapaj, një nga zërat më koherentë dhe të pavarur në arenën publike, është i ngujuar prej javësh po në atë shesh, duke kërkuar përmbysjen e kulturës së pandëshkueshmërisë. Dje, Lëvizja Bashkë ishte po para Kuvendit. Sot, Partia Mundësia protestoi në të njëjtin vend, ndërsa diskutohej imuniteti i zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në çdo vend normal, katër protesta të njëpasnjëshme do të mjaftonin për të ndezur një debat kombëtar, për të alarmuar mazhorancën, për të bashkuar forcat e ndryshimit. Në Shqipëri, ende mungon ajo çka ka bërë dallimin në rastet ndërkombëtare: një ndjesi përbashkësie. Një ndjenjë e qartë se pavarësisht logove, ideve, apo krahëve politikë, përballja është një dhe e vetme: kundër një sistemi të kalbur, që ka mbërthyer pjesën më të madhe të shtetit.
Fakti që protestat janë të ndara, të fragmentuara dhe ende të dobëta në numra nuk flet për mungesë zemërimi, por për mungesë lidhjeje mes njerëzve. Në thelb, të gjithë janë të revoltuar, por secili në cepin e vet. Dhe kjo është pika ku regjimet shpëtojnë: jo sepse janë më të forta, por sepse kundërshtarët e tyre janë të shpërndarë, të zëshëm, por të paorganizuar.
Shqipëria nuk ka nevojë për një lider të vetëm që të thërrasë popullin. Ka nevojë për një vetëdije kolektive që e kupton se në këtë fazë, heshtja është bashkëfajësi. Të gjithë këta zëra, Lapaj, opozita parlamentare, partitë e reja, lëvizjet qytetare, kanë më shumë pika të përbashkëta sesa që i ndajnë. Ajo që mungon është një koordinatë që i lidh, jo një ideologji që i ndan.
Në fund, fitili i revoltës nuk ndizet gjithmonë me një skandal. Shpesh ndizet me një ndjenjë. Dhe ajo ndjenjë sot është më e pranishme se kurrë, por pret të shndërrohet në veprim të përbashkët. Sepse korrupsioni nuk rrëzohet me statuse, as me protesta të heshtura. Rrëzohet me bashkim. Dhe ky bashkim duhet të ndodhë tani, para se të kthehemi në një vend ku shpresa do të jetë më e rrallë se drejtësia. /Pamfleti
