
Sipas INSTAT, mbi 2.2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit dhe shumica janë në moshë aktive
Numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të vendit ka arritur shifra rekord, duke u afruar ndjeshëm me popullsinë rezidente brenda Shqipërisë. Të dhënat e përpunuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se deri në vitin 2025, rreth 2.256.346 shtetas shqiptarë jetojnë jashtë vendit, çka përfaqëson afërsisht 49 për qind të shqiptarëve gjithsej.
Në të njëjtën kohë, Censi i Popullsisë ka evidentuar se brenda territorit shqiptar jetojnë 2.402.113 banorë, duke nxjerrë në pah një ekuilibër tronditës mes popullsisë brenda dhe jashtë vendit. Studimi i strukturës së diasporës tregon se emigrimi përfshin kryesisht një popullsi të re dhe ekonomikisht aktive.
Grupmosha 15 deri në 64 vjeç përbën peshën kryesore të emigrantëve, ndërsa fëmijët deri në 14 vjeç përfaqësojnë rreth 18 për qind të diasporës. Personat mbi 65 vjeç zënë vetëm rreth 5 për qind, duke konfirmuar se largimi ka prekur kryesisht forcat aktive të shoqërisë.
Sipas të dhënave, diaspora përbëhet nga 1.177.529 meshkuj dhe 1.078.817 femra, një raport që tregon një komunitet të balancuar gjinor dhe me potencial të lartë për tregjet e punës në vendet pritëse. Institucionet statistikore e përshkruajnë diasporën si një profil të ri, dinamik dhe me ndikim të rëndësishëm ekonomik.
Ndryshe nga emigrimi i hershëm drejt Shteteve të Bashkuara, emigracioni i dekadave të fundit është orientuar kryesisht drejt Europës. Greqia mbetet vendi me komunitetin më të madh të emigrantëve shqiptarë, e ndjekur nga Italia, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
Sipas Eurostat, gjatë vitit 2024, Italia, Greqia dhe Gjermania kryesojnë për numrin e lejeve të qëndrimit të dhëna për shtetasit shqiptarë. Rreth 47.6 për qind e lejeve në vendet e Bashkimit Europian janë dhënë për bashkim familjar, ndërsa 29.1 për qind për arsye punësimi.
Arsyet kryesore të largimit mbeten kërkimi për mundësi më të mira ekonomike, të ndjekura nga faktorët familjarë dhe arsimi. Të dhënat sinjalizojnë një sfidë të thellë demografike për Shqipërinë, me pasoja afatgjata në tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe strukturën shoqërore të vendit.
