
Presidenti amerikan njofton fillimin e një operacioni të gjerë ushtarak në Siri, si hakmarrje për vrasjen e tre shtetasve amerikanë, mes tyre dy ushtarë dhe një përkthyes.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka shpallur nisjen e një operacioni ushtarak masiv kundër grupit ekstremist Shteti Islamik në territorin sirian. Lajmi u bë publik të premten në mbrëmje, ndërsa Pentagoni konfirmoi se ofensiva ka shkaktuar të paktën pesë viktima në radhët e grupit xhihadist.
Sipas presidentit amerikan, sulmet përfaqësojnë një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë pas një atentati të ndodhur rreth një javë më parë në Siri, ku humbën jetën dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes. Tramp deklaroi se forcat amerikane po godasin me intensitet të lartë pikat strategjike të organizatës, duke e cilësuar operacionin si një mesazh të qartë se SHBA nuk do të tolerojë sulme ndaj trupave të saj.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes njoftoi se objektivi i ofensivës është eliminimi i luftëtarëve të Shtetit Islamik, shkatërrimi i infrastrukturës dhe asgjësimi i depozitave të armëve. Sipas tij, operacioni është një akt hakmarrjeje dhe do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Komanda Qendrore Amerikane për Lindjen e Mesme bëri të ditur se janë goditur mbi 70 objektiva në zona të ndryshme të Sirisë qendrore, duke përdorur më shumë se 100 municione precize. Sulmet ajrore dhe goditjet me artileri janë përqendruar në zona shkretëtinore pranë Homsit, si dhe në rajone rurale afër Deir ez Zor dhe Raqqa.
Burime siriane të sigurisë konfirmuan për shpërthime të fuqishme dhe shkëmbime zjarri në shkretëtirë, në zona që ndodhen nën kontrollin e qeverisë siriane. Ministria e Jashtme e Sirisë reagoi duke ritheksuar angazhimin për të luftuar Shtetin Islamik dhe për të mos lejuar që territori sirian të shërbejë si strehë për grupet terroriste.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se që nga sulmi i fundit ndaj trupave të tyre, SHBA dhe aleatët kanë zhvilluar dhjetë operacione të ndara në Siri dhe Irak, duke çuar në vrasjen ose arrestimin e 23 personave të lidhur me terrorizmin.
Ngjarja shënon një zhvillim të pazakontë, pasi autori i sulmit që vrau tre amerikanët është identifikuar si pjesëtar i forcave të sigurisë siriane, një fakt i paprecedentë që nga ardhja në pushtet, një vit më parë, e koalicionit islamist në Damask, i cili ka afruar marrëdhëniet me Uashingtonin.
Megjithëse Shteti Islamik u mposht zyrtarisht në Siri në vitin 2019, luftëtarët e tij vazhdojnë të jenë aktivë në zona të izoluara të shkretëtirës, duke kryer herë pas here sulme. Ofensiva e re amerikane rihap gjithashtu debatin mbi praninë ushtarake të SHBA në Siri, në një kohë kur administrata Trump ka shprehur skepticizëm për dislokimet afatgjata jashtë vendit.
