
Operacioni Shape çon në pranga një të ri nga Dibra, i kapur me mbi 1 kilogram drogë në rrugën 5 Maji, ndërsa dyshohet për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Policia e Tiranës ka arrestuar një 23-vjeçar në kuadër të një operacioni antidrogë të zhvilluar në rrugën 5 Maji. I ndaluari, Domeniko Cibaku, banues në Dibër, u kap pas informacioneve operative që sinjalizonin posedimin e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve, sekuestruan 1 kilogram e 54 gramë kanabis në trajtë xhelatine. Sipas policisë, vlera e drogës arrin rreth 10 mijë euro.
Nga hetimet paraprake dyshohet se lënda narkotike është trafikuar nga Kanadaja, çka ngre dyshime për një veprimtari të organizuar të trafikut ndërkombëtar të drogës. Autoritetet bëjnë me dije se operacioni u finalizua pas një pune të mirëorganizuar për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.
