

Emërimi i Sébastien Lecornu si Kryeministër i ri i Francës ka shkaktuar menjëherë reagime të ashpra nga opozita. Jordan Bardella, president i Rassemblement National (RN), akuzoi Emmanuel Macronin se po vijon të ndjekë të njëjtën linjë politike që, sipas tij, ka dështuar prej tetë vitesh.
Në një postim në rrjetin social X, Bardella ironizoi zgjedhjen e Macronit duke thënë: “Deviza e Emmanuel Macron është: nuk ndryshohet një skuadër që po humbet. Si mundet një besnik i tij të prishë politikën që ai vetë ka drejtuar për kaq gjatë?”
Sipas liderit të RN, problemi nuk lidhet me emra apo me “kastingu” e ministrave, por me vijën politike të pandryshuar: “Parimet tona nuk ndryshojnë. Interesi i francezëve mbetet busulla jonë e vetme. Ne do të gjykojmë mbi bazë faktesh, akteve dhe orientimeve konkrete për buxhetin e Francës. Nuk do të pranojmë që ato të kalojnë vijat tona të kuqe.”
Reagimet e Bardella pasojnë kritika të tjera nga partitë opozitare, të cilat e shohin këtë emërim si shenjë vazhdimësie të politikës së Macronit, jo si një ndryshim real. Socialistët e kanë cilësuar hapur si një “rrezik të bllokimit institucional”, ndërsa të majtët kanë folur për një “provokim”.
Nga ana tjetër, Lecornu, në daljen e tij të parë pas marrjes së mandatit, tha se është i vetëdijshëm për pritshmëritë e larta të francezëve dhe se do të nisë menjëherë konsultimet për çështjet kryesore, me prioritet buxhetin.
Kjo situatë e tensionuar vjen në një moment të brishtë për qeverinë franceze, ku Macron përballet me pakënaqësi të larta në opinionin publik, rënie të mbështetjes parlamentare dhe presion të vazhdueshëm nga Rassemblement National, që shpreson të kapitalizojë në zgjedhjet e ardhshme.