Një incident i rëndë ka ndodhur mesditën e së shtunës në Ajaccio, në ishullin francez të Korsikës, ku një i ri 26-vjeçar humbi jetën pas një përplasjeje me forcat e policisë në qendër të qytetit.
Sipas informacioneve zyrtare, i riu kishte dalë në rrugë me një thikë dhe po kërcënonte qytetarë dhe tregtarë në një zonë të populluar, duke shkaktuar panik. Menjëherë në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë.
Autoritetet bëjnë me dije se efektivët tentuan fillimisht ta neutralizonin pa përdorur armë zjarri, por për shkak se ai nuk iu bind urdhrave dhe vazhdoi të paraqiste rrezik serioz, policia u detyrua të qëllonte.
Si pasojë, 26-vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje. Gjatë incidentit, një punonjës policie ka pësuar lëndime të lehta. Rrethanat e plota të ngjarjes po hetohen nga autoritetet përkatëse.
