Përplasje kozmike pranë Tokës, astronomët kapin dy shkatërrime planetare radhazi te Syri i Sauronit

Rreth yllit Fomalhaut, vetëm 25 vite dritë larg, janë vëzhguar drejtpërdrejt dy përplasje gjigante mes blloqeve shkëmbore që ndërtojnë planetët
Astronomët kanë qenë dëshmitarë të një ngjarjeje kozmike të paprecedentë rreth yllit Fomalhaut, i njohur ndryshe si Syri i Sauronit për shkak të brezit të tij spektakolar të pluhurit. Për herë të parë, shkencëtarët kanë vëzhguar drejtpërdrejt jo një, por dy përplasje masive mes planetesimalëve, blloqe shkëmbore që përfaqësojnë fazat e hershme të formimit të planetëve.
Ngjarjet janë regjistruar gjatë dy dekadave të fundit dhe kanë ndodhur vetëm 25 vite dritë larg Tokës, një distancë shumë e vogël në përmasa kozmike. Dy trupat shkëmborë, secili rreth 60 kilometra në diametër, janë përplasur me njëri-tjetrin duke u shndërruar në re të ndritshme pluhuri, të quajtura cs1 dhe cs2. Këto masa janë disa herë më të mëdha se asteroidi që shkaktoi zhdukjen e dinosaurëve në Tokë.
Sistemi i Fomalhaut është studiuar prej vitesh dhe për një kohë të gjatë astronomët besuan se kishin zbuluar një ekzoplanet të quajtur Fomalhaut b. Me kalimin e kohës u kuptua se ajo që dukej si planet ishte në fakt një re mbetjesh nga një përplasje kolosale. Zbulimi i një reje të dytë, vetëm 20 vjet më vonë, konfirmoi se bëhej fjalë për katastrofa kozmike dhe jo për trupa planetarë.
Pamja e veçantë e këtij sistemi, me një brez pluhuri në distancë rreth 133 njësi astronomike nga ylli, i ka dhënë nofkën Syri i Sauronit, në analogji me syrin e zjarrtë të sagës Lord of the Rings. Ky brez konsiderohet një pasqyrë e asaj që ishte Sistemi Diellor mbi 4 miliardë vjet më parë, një epokë kaotike ku planetët formoheshin, shkatërroheshin dhe rindërtoheshin vazhdimisht.
Studimi, i udhëhequr nga astronomë të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, sugjeron se përplasje të tilla zakonisht ndodhin një herë në rreth 100 mijë vjet. Fakti që dy të tilla janë parë në vetëm dy dekada ka habitur komunitetin shkencor dhe tregon se sistemi i Fomalhaut është jashtëzakonisht aktiv. Sipas përllogaritjeve, gjatë jetës së tij 440 milionë vjeçare mund të kenë ndodhur miliona ngjarje të ngjashme.
Shkencëtarët dyshojnë se pas këtyre përplasjeve mund të fshihet edhe ndikimi i një planeti ende të pazbuluar, i cili me gravitetin e tij i shtyn planetesimalët të përplasen në zona të caktuara. Kjo hap mundësinë që Fomalhaut të strehojë ende një planet real, të padukshëm deri tani.
Vëzhgimet janë realizuar falë të dhënave të marra nga Hubble Space Telescope, në bashkëpunim me NASA dhe ESA. Ky zbulim po shihet si një paralajmërim për teleskopët e së ardhmes, pasi retë e mbetjeve mund të duken lehtësisht si planete dhe të mashtrojnë vëzhgimet.
Ngjarja rreth Fomalhaut jo vetëm që ofron një dritare unike mbi mënyrën se si lindin dhe shkatërrohen planetët, por edhe tregon se universi ynë është shumë më dinamik dhe i dhunshëm sesa duket nga larg, duke vazhduar të prodhojë spektakle kozmike edhe në lagjen tonë kozmike.
