
Ngjarja e rëndë në Brisbane paralizoi linjat hekurudhore, autoritetet hetojnë rrethanat e aksidentit
Një ngjarje tragjike ka tronditur Australinë pak ditë para festave të Krishtlindjes, pasi një fëmijë mbeti rëndë i plagosur pasi u godit nga një tren mallrash në veri të qytetit Brisbane.
Sipas autoriteteve, shërbimet e emergjencës u thirrën rreth orës 18:00 të së shtunës në një stacion hekurudhor në zonën Carseldine, pasi u raportua se një fëmijë ishte përplasur nga treni. Fëmija u transportua me urgjencë në Spitalin e Fëmijëve në Brisbane, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Queensland Police konfirmoi se hetimet janë në vijim, ndërsa nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi moshën e fëmijës apo mënyrën se si ndodhi aksidenti. Autoritetet kanë deklaruar se po punojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja solli kaos në rrjetin hekurudhor, duke pezulluar për disa orë linjat kryesore që lidhin Caboolture, Redcliffe Peninsula dhe Sunshine Coast. Qindra udhëtarë u përballën me vonesa të gjata, ndërsa shërbimet u rikthyen në normalitet pas më shumë se një ore.
Ky aksident i rëndë vjen vetëm pak javë pas një tjetër ngjarjeje tragjike në New South Wales, ku një fëmijë njëvjeçar humbi jetën pasi u godit nga një tren, duke rritur shqetësimet për sigurinë në zonat pranë linjave hekurudhore.
Autoritetet australiane u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal pranë stacioneve dhe kalimeve hekurudhore, ndërsa komuniteti lokal është shprehur i tronditur nga ngjarja dhe lutet për shpëtimin e jetës së fëmijës.
