
Përbërësi i ri vepron brenda qelizave dhe përshpejton shërimin e plagëve pa ulur sheqerin në gjak
Shkencëtarët në NYU Langone Health kanë zbuluar një përbërës të ri farmaceutik që mund të shënojë një kthesë të rëndësishme në trajtimin e komplikacioneve të diabetit. Studimi, i publikuar në revistën shkencore Cell Chemical Biology, tregon se ilaçi eksperimental RAGE406R ka dhënë rezultate premtuese në testet laboratorike dhe te minjtë.
Ndryshe nga shumica e trajtimeve aktuale që fokusohen në uljen e nivelit të sheqerit në gjak, RAGE406R vepron drejtpërdrejt brenda qelizave, duke parandaluar dëmtimet që diabeti shkakton në organizëm. Përbërësi bllokon ndërveprimin mes dy proteinave të dëmshme, RAGE dhe DIAPH1, të cilat luajnë rol kyç në inflamacion, dëmtim qelizor dhe përkeqësim të funksionit të organeve.
Sipas studiuesve, tek minjtë u vu re ulje e ndjeshme e inflamacionit, mbrojtje më e mirë e zemrës dhe veshkave, si edhe rikuperim më i shpejtë i indeve. Një rezultat veçanërisht i rëndësishëm ishte përshpejtimi i shërimit të plagëve, një problem serioz për personat me diabet, sidomos ata me diabet të tipit 2.
Komplikacionet afatgjata të diabetit, si dështimi i veshkave, sëmundjet e zemrës dhe plagët që nuk mbyllen, lidhen me grumbullimin e molekulave të quajtura AGEs, të cilat formohen kur sheqeri lidhet me proteina dhe yndyra në trup. Këto molekula aktivizojnë proteinën RAGE, duke shkaktuar reaksione inflamatore dhe dëmtime progresive të qelizave.
RAGE406R ndërpret këtë zinxhir dëmtues, duke frenuar sinjalet që nxisin inflamacionin dhe shkatërrimin qelizor. Studiuesit theksojnë se nëse testimet te njerëzit rezultojnë të suksesshme, ky ilaç mund të përdoret si për diabetin e tipit 1 ashtu edhe për atë të tipit 2.
Edhe pse kërkimi ndodhet ende në fazat e hershme, ekspertët e konsiderojnë këtë zbulim si një hap të madh drejt trajtimeve më efektive për miliona njerëz që jetojnë me diabet në mbarë botën.
