
Akuza për mizori, ndotje dhe rreziqe shëndetësore vënë në pikëpyetje peshkun më të konsumuar në Mbretërinë e Bashkuar
Salmoni, i konsideruar prej vitesh si një superushqim dhe simbol i ushqimit të shëndetshëm, po përballet me akuza të rënda që tronditin industrinë britanike me vlerë rreth 1.5 miliardë paund në vit. Raporte hetimore, pamje të fshehta dhe dëshmi nga ekspertë të shëndetit dhe mjedisit hedhin dyshime serioze mbi mënyrën se si prodhohet salmoni i kultivuar, sidomos në fermat industriale të Skocisë.
Sipas të dhënave, mbi 70 % e salmonit që konsumohet sot vjen nga fermat e peshkut, pasi rezervat e salmonit të egër, veçanërisht ai Atlantik, janë në rënie të vazhdueshme. Në këto ferma, peshqit jetojnë gjithë ciklin e tyre të mbyllur në kafaze gjigante, në kushte që aktivistët i krahasojnë me fermat intensive të shpendëve.
Industria u vu nën presion të fortë muajin e kaluar, kur kompania norvegjeze Mowi, prodhuesi më i madh në botë i salmonit të kultivuar, humbi statusin e furnitorit mbretëror në Mbretërinë e Bashkuar. Vendimi erdhi pas publikimit të pamjeve që tregonin sjellje mizore ndaj peshqve në një fermë në ishullin Skye, përfshirë raste ku salmonët rriheshin deri në vdekje.
Pamje të tjera të siguruara nga organizata për të drejtat e kafshëve tregojnë peshq të infektuar nga parazitë, të verbër, të deformuar ose të lënë të ngordhin nga uria. Dendësia e lartë e salmonëve në rezervate favorizon përhapjen e sëmundjeve, ndërsa mbetjet dhe feçet ndotin fundin e detit, duke dëmtuar ekosistemin detar.
Pasojat kanë prekur edhe zinxhirin e shitjes. Supermarketi britanik Tesco pezulloi përkohësisht furnizimin nga një fermë në veriperëndim të Skocisë, pas publikimit të pamjeve me salmonë të infektuar nga morrat e detit, në një zonë që duhej të ishte bosh për rigjenerim.
Por shqetësimet nuk kufizohen vetëm te mirëqenia e kafshëve dhe mjedisi. Mjekë dhe nutricionistë paralajmërojnë se salmoni i kultivuar nuk është aq i shëndetshëm sa mendohet. Ekspertë të shëndetit theksojnë se ai përmban më shumë yndyrë të ngopur dhe më pak omega 3 krahasuar me salmonin e egër, si dhe mund të grumbullojë ndotës mjedisorë, mikroplastikë dhe baktere rezistente ndaj antibiotikëve.
Një mjek amerikan e ka krahasuar konsumimin e salmonit të kultivuar me pirjen e një cigareje me katran të ulët, duke paralajmëruar për rreziqet afatgjata në peshë trupore dhe diabet. Ndërkohë, shkencëtarë detarë nga komunitetet lokale në Skoci thonë se fermat e salmonit janë burim ndotjeje, zhurme dhe degradimi mjedisor, ndërsa përfitimet ekonomike për banorët vendas po zvogëlohen për shkak të automatizimit.
Edhe kuzhinierë të njohur britanikë po distancohen nga salmoni industrial. Shefi dhe prezantuesi televiziv Hugh Fearnley-Whittingstall ka deklaruar se nuk e përdor salmonin e kultivuar, duke rekomanduar peshkun e egër lokal ose butakët si alternativa më të qëndrueshme dhe më të pastra.
Ndërsa industria këmbëngul se respekton standarde të larta dhe sjell miliarda në ekonominë britanike, kritikat po shtohen dhe besimi i konsumatorëve po lëkundet. Pyetja që shtrohet gjithnjë e më fort është nëse salmoni i fermave industriale është vërtet ushqimi i shëndetshëm që na është servirur për vite me radhë, apo një produkt me kosto të fshehura për shëndetin, kafshët dhe mjedisin.
