
Blackout-i godet një të tretën e qytetit, paralizohet transporti dhe mbyllen biznese në mes të sezonit festiv
Një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike ka përfshirë San Franciskon të shtunën, duke lënë rreth 130 mijë banesa dhe biznese pa energji, në atë që autoritetet e përshkruan si një nga blackout-et më të rënda të viteve të fundit në qytet. Sipas kompanisë energjetike Pacific Gas and Electric Co., defekti preku afërsisht një të tretën e konsumatorëve në gjithë qytetin.
Ndërprerja nisi në orët e para të pasdites, duke goditur fillimisht lagjet Richmond dhe Presidio, zonat përreth Golden Gate Park, për t’u përhapur më pas në pjesë të tjera të sektorit verior të qytetit. Restorante, dyqane dhe ambiente publike u mbyllën papritur, ndërsa dritat rrugore dhe dekorimet e Krishtlindjeve mbetën të fikura.
Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave i qytetit paralajmëroi për ndërprerje të rënda të transportit urban dhe u bëri thirrje banorëve të shmangnin lëvizjet e panevojshme. Autoritetet këshilluan që semaforët jashtë funksionit të trajtoheshin si kryqëzime me ndalim nga të katër drejtimet, për të shmangur aksidentet.
Edhe transporti publik u përfshi nga kaosi. Shërbimet e autobusëve Muni dhe trenat e Bay Area Rapid Transit anuluan ose anashkaluan disa stacione për shkak të mungesës së energjisë, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar ose të detyruar të ndryshonin planet e udhëtimit.
Sipas shërbimit zjarrfikës, një pjesë e ndërprerjeve lidhej me një zjarr që shpërtheu brenda një nënstacioni elektrik të PG&E në kryqëzimin e rrugëve 8th dhe Mission, rreth orës 15:15. Autoritetet po hetojnë nëse ky incident ishte shkaku kryesor i blackout-it zinxhir në pjesë të mëdha të qytetit.
Rreth orës 16:00, PG&E njoftoi se rrjeti elektrik ishte stabilizuar dhe se nuk priteshin ndërprerje të tjera të reja. Megjithatë, kompania nuk ishte në gjendje të jepte një afat të saktë për rikthimin e plotë të energjisë për të gjithë konsumatorët e prekur.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi qëndrueshmërinë e infrastrukturës energjetike të San Franciskos, veçanërisht në një periudhë festash, kur qyteti përballet me fluks të lartë lëvizjesh dhe aktivitetesh ekonomike.
