
Sulmet ndaj gjyqtarëve dhe mbrojtja e Ballukut zbulojnë frikën e një pushteti që po shembet nën peshën e miteve të veta
Dalja e radhës e Edi Ramës kundër drejtësisë nuk është më thjesht një reagim politik, por prova e qartë e një pushteti në panik. Nga podcasti “Flasim”, kryeministri zgjodhi sërish të sulmojë gjyqtarët dhe prokurorët, duke e quajtur antidemokratik pezullimin e një anëtareje të qeverisë dhe duke i akuzuar magjistratët se po grabisin arkën e shtetit për interesa personale.
Prej muajsh, çështja Balluku është kthyer në makth për Ramën. Çdo vendim që nuk i shërben mbrojtjes së pushtetit etiketohet si padrejtësi, çdo veprim i drejtësisë shpallet brutalitet, çdo gjyqtar që nuk bindet trajtohet si armik. Kjo nuk është më retorikë politike, por përpjekje e dëshpëruar për të delegjitimuar një sistem që nuk i bindet më urdhrave, ndërsa çdo ditë dalin në dritë fakte, dosje dhe indicie për afera, abuzime dhe lidhje kriminale që rrethojnë pushtetin.
Rama kërkon të na bindë se pezullimi i Belinda Balluku ishte një akt antidemokratik, por realiteti është krejt tjetër. Drejtësia po vepron dhe për herë të parë pushteti politik nuk e kontrollon më rezultatin. Kjo është arsyeja e vërtetë e sulmeve, jo shqetësimi për demokracinë, por humbja e imunitetit politik, frika se laku po ngushtohet dhe se të gjitha rrugët tashmë çojnë drejt tij.
Retorika për gjyqtarë që shqyejnë arkën e shtetit është një tjetër tentativë e vjetër për të hedhur baltë dhe për të zhvendosur vëmendjen. Kur kryeministri flet për paga, ai harron vitet e abuzimeve, tenderët pa garë dhe aferat që kanë zbrazur buxhetin publik shumë më tepër se çdo vendim gjyqësor. Sot, kur faktet lexohen të zeza mbi të bardhë, asnjë gënjeshtër e servirur me arrogancë dhe tallje nuk pin më ujë.
Kjo strategji nuk funksionon më. Miti i Ramës si i pafajshëm ka rënë. Dardhat e ngrëna pas shpine tregojnë minimalisht paaftësi për të zgjedhur bashkëpunëtorët, por në realitet zbulojnë shumë më tepër.
Miti i Ramës autoritar që do të bënte shtet me dorë të hekurt ka rënë, sepse pas çdo promovimi të bujshëm fshihet një grabitje çnjerëzore e parasë publike.
Miti i Ramës punëtor që punon fort dhe lufton korrupsionin ka rënë, sepse provat tregojnë se korrupsioni nuk u luftua, por u nxit, u ushqye dhe u mbrojt. Shqiptarët nuk hanë më bar dhe nuk pranojnë më të fyehen.
Mjaft është mjaft, kryeministër!
Daljet e tua të dëshpëruara ta kanë kthyer arrogancën në dëshmi paniku. Sa më shumë e sulmon drejtësinë, aq më qartë kuptohet se ora jote ka nisur të numërojë mbrapsht dhe pushteti nuk të bindet më. Drejtësia nuk është armiku i demokracisë, por shpresa e fundit e saj.
Historia e shqiptarëve ka treguar se asnjë pushtet që qeveris me arrogancë dhe frikë nuk ka zgjatur përgjithmonë, sepse çdo pushtet që përbuz drejtësinë; fyen, shkel, vjedh dhe merr peng qytetarët, përfundon i rrëzuar nga e vërteta dhe nga vetë njerëzit që kërkon të nënshtrojë.
Shkruar nga Borea Lisi
