
Operacioni “Pesha e krimit” çon në arrestimin e dy të dyshuarve për vrasjen me paramendim të 20-vjeçarit, të ndodhur në shkurt në fshatin Guci e Re.
Zbardhet vrasja e 20-vjeçarit Pavlin Preka, e kryer më 27 shkurt 2025 në fshatin Guci e Re të Shkodrës. Pas disa muajsh hetimesh intensive, Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Pesha e krimit”, duke vënë në pranga dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes së rëndë.
Sipas njoftimit zyrtar, si rezultat i punës hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, janë arrestuar Klaudio Lisaj, 20 vjeç, banues në fshatin Mgull, dhe Vasel Koçeku, 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme Shqiponja, si dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër. Të dy të ndaluarit dyshohen për veprat penale vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim, si dhe mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve dhe municionit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.
