Protestat e 10 Shtatorit; Përplasje në Rennes, Paris, Nantes. Të paktën 95 të ndaluar në rajonin e Parisit

Franca është përfshirë këtë të mërkurë nga një ditë tensioni dhe protestash, e nxitur nga thirrja “Bloquons tout”, “T’i bllokojmë të gjitha”, e përhapur në rrjetet sociale. Kjo lëvizje synon të shprehë pakënaqësinë e thellë sociale në një vend të zhytur në krizë politike.
Në rajonin e Parisit, janë bërë të paktën 95 ndalime, ndërkohë që përplasje të izoluara janë shënuar në qytete si Rennes, Paris dhe Nantes.
Më shumë se 4 mijë protestues janë numëruar deri më tani; 154 aksione proteste janë regjistruar në zonat nën mbikëqyrjen e xhandarmërisë; 18 bllokime rrugësh.
Në A20, në Saint-Hilaire-Bonneval, 30 persona kanë bllokuar autostradën me 6 traktorë dhe 10 makina.
Në A10, pranë pikës së pagesës në Poitiers Sud, dy persona janë arrestuar gjatë përpjekjes për të shpërndarë një grup bllokuesish.
Ky mobilizim i gjerë shihet si një test i zemërimit popullor, përballë një qeverie të dobësuar politikisht dhe në kërkim të stabilitetit. Autoritetet janë në gatishmëri të lartë, ndërsa disa rrugë dhe akse kyçe mbeten të paralizuara nga bllokimet.