
Një grup i armatosur hapi zjarr në një lokal nate dhe më pas qëlloi edhe në rrugë, duke lënë dhjetë të plagosur dhe duke rikthyer frikën nga dhuna masive në Afrikën e Jugut
Të paktën nëntë persona humbën jetën pasi rreth një duzinë persona të armatosur hynë në një bar në zonën e Bekkersdal, pranë Johannesburg, dhe hapën zjarr ndaj klientëve. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit të së dielës, ndërsa autorët, pas sulmit brenda lokalit, vijuan të qëllonin edhe në rrugë përpara se të largoheshin me dy automjete.
Policia ka nisur një operacion të gjerë kërkimi për identifikimin dhe arrestimin e 12 të dyshuarve, ndërsa autoritetet konfirmojnë se dhjetë civilë të tjerë mbetën të plagosur. Mes viktimave raportohet se ka edhe një fëmijë, çka e bën ngjarjen edhe më tronditëse.
Sulmi vjen vetëm pak javë pas një tjetër ngjarjeje të rëndë në vend, ku të paktën 11 persona u vranë nga të shtënat në një hostel pranë Pretorias, duke thelluar shqetësimin për sigurinë publike.
Afrika e Jugut renditet ndër vendet me normat më të larta të vrasjeve në botë, me rreth 45 viktima për çdo 100 mijë banorë, sipas të dhënave të United Nations Office on Drugs and Crime. Autoritetet lokale pranojnë se dhuna me armë mbetet një nga sfidat më serioze të sigurisë kombëtare.
