
44-vjeçarja humbi jetën në rrethana të paqarta gjatë një kure agjërimi me ujë në Francë, ndërsa hetimi për vrasje nga pakujdesia mbetet i ngrirë dhe familjarët flasin për ndjenjë të fortë padrejtësie
Katër vite pas vdekjes së Maryelle gjatë një kure agjërimi hidrik, familja e saj ka vendosur të flasë publikisht për herë të parë, mes dhimbjes, lodhjes dhe mungesës së përgjigjeve nga drejtësia. Gruaja 44-vjeçare ndërroi jetë në gusht të vitit 2021 gjatë një stage të organizuar në Noyant-de-Touraine, në departamentin Indre-et-Loire, në ambientet pranë Château de Brou.
Sipas familjarëve, Maryelle kishte zgjedhur këtë përvojë për të humbur peshë dhe për t’u shkëputur nga stresi i përditshëm. Ajo kishte një jetë aktive, kreative dhe plane për të ardhmen, por gjithçka u ndërpre papritur në kushte që ende mbeten të paqarta.
Hetimi gjyqësor është hapur prej vitesh për vrasje nga pakujdesia, rrezikim të jetës së tjetrit, abuzim me dobësinë dhe ushtrim të paligjshëm të mjekësisë. I dyshuari kryesor, naturopati vendéen Eric Gandon, është vënë nën akuzë dhe ka kaluar disa muaj në burg, ndërsa drejtësia administrative në Nantes i ka ndaluar organizimin e kureve të agjërimit.
Megjithatë, sipas familjes së viktimës, procedurat kanë mbetur në vendnumëro. Ata shprehen se nuk kanë asnjë afat apo qartësi mbi ecurinë e çështjes, ndërsa i akuzuari ka vijuar të shfaqet në rrjete sociale dhe platforma komunikimi të koduara, duke krijuar ndjesinë e një pandëshkueshmërie të rrezikshme.
Motra e Maryelle flet për një pritje që po bëhet gjithnjë e më e rëndë, sidomos në prag të festave, që tashmë janë të pestat pa të. Familja kërkon vetëm një gjë: që drejtësia të bëjë punën e saj dhe të zbardhë përgjegjësitë për një vdekje që, sipas tyre, mund të ishte shmangur.
Rasti ka ringjallur debatin në Francë mbi rrezikun e praktikave alternative të pakontrolluara, si dhe mbi nevojën për mbikëqyrje më të fortë ligjore, për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.
