
Një grua që udhëtonte me mbesën e saj 8-vjeçare thotë se ka përjetuar traumë të rëndë pasi pa motorin e avionit të merrte flakë gjatë fluturimit
Një pasagjere e fluturimit Paris-Ajaccio ka njoftuar se do të padisë Air France, pas incidentit teknik që detyroi avionin të devijohej në mënyrë emergjente. Ngjarja ndodhi të shtunën, më 20 dhjetor, kur avioni ishte në ajër dhe u detyrua të ulej urgjentisht në aeroportin e Lyon.
Pasagjerja, e identifikuar si Joëlle, udhëtonte së bashku me mbesën e saj tetëvjeçare kur dëgjoi një zhurmë të fortë nga krahu i majtë i avionit. Ajo tregon se nga dritarja pa motorin duke shpërthyer në fluturim, ndërsa pasagjerë të tjerë raportuan flakë në krahun e avionit dhe ndjesinë e një rënieje të menjëhershme.
Sipas dëshmisë së saj, avioni pati një moment rënieje të fortë, duke krijuar panik në kabinë dhe frikë se fluturimi mund të përfundonte tragjikisht. Avioni arriti të ulej në Lyon, ku kompania ajrore siguroi një tjetër mjet për të vazhduar udhëtimin drejt Ajaccio, por Joëlle refuzoi të hipte sërish në avion dhe zgjodhi të kalonte natën në hotel.
Ajo thotë se pas incidentit nuk kishte më asnjë dëshirë të fluturonte, ndërsa mbesa e saj kaloi një natë të tërë e frikësuar, duke u zgjuar nga ankthi dhe makthet. Sipas saj, përvoja ka lënë pasoja të rënda psikologjike, veçanërisht te fëmija.
Disa pasagjerë të tjerë kanë deklaruar për RTL se gjatë incidentit mungoi informacioni i qartë nga ekuipazhi. Në një reagim zyrtar, Air France e përshkroi ngjarjen si një incident teknik, pa dhënë detaje shtesë mbi natyrën e defektit.
Pasagjerja vë në dyshim mirëmbajtjen e avionit dhe shprehet se për një kompani të këtij niveli, një situatë e tillë është e papranueshme. Ajo ka konfirmuar se do të marrë një avokat dhe se nuk ka ndërmend ta lërë çështjen pa ndjekje ligjore, duke kërkuar përgjegjësi për atë që e konsideron një rrezik serioz për jetën e saj dhe të pasagjerëve të tjerë.
