
Autoritetet amerikane u bëjnë thirrje shqiptarëve të shmangin mashtrimet dhe të ndjekin vetëm rrugë ligjore emigracioni
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar publikisht duke paralajmëruar qytetarët shqiptarë që të tregojnë kujdes maksimal në lidhje me dokumentet e emigracionit të realizuara përmes martesave. Përmes një njoftimi të publikuar në Facebook, ambasada thekson se mashtrimi me anë të martesës për përfitim dokumentesh emigracioni përbën një krim federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas mesazhit zyrtar, përfshirja në martesa fiktive apo deklarime të rreme mund të çojë në pasoja të rënda ligjore, përfshirë dënime serioze penale dhe ndalime afatgjata për hyrjen në SHBA. Autoritetet amerikane nënvizojnë se çdo përpjekje për të manipuluar sistemin e emigracionit konsiderohet shkelje e rëndë e ligjit federal.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të zgjedhin gjithmonë rrugë të ligjshme për emigrimin, duke ndjekur procedurat zyrtare dhe duke siguruar dokumentacion të rregullt. Sipas saj, respektimi i ligjit është mënyra e vetme për të shmangur problemet ligjore dhe për të garantuar një proces të sigurt dhe korrekt emigracioni.
