Festivali i 64-të i Këngës u mbyll me fitoren e Alis Kallaçit, djalit nga Shkodra, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në skenën e Eurovision-it në Austri. Pas katër netëve intensive, plot emocione dhe punë të palodhur, një nga figurat kyçe të festivalit, drejtori Elton Deda, reagoi për “kritikuesit” që kanë “vjellur vrer” përgjatë këtyre ditëve.
Si një artist që i përqafon kritikat e vërteta, Deda theksoi se kundërshton ashpër mllefet dhe sulmet pa vlerë që janë duke qarkulluar në internet, por që një tjetër moment, atëhere kur lodhja të ketë ikur, do të japë dhe vlerësimin e tij sa i përket këtij festivali.
Ai zgjodhi që përmes këtij postimi të falënderonte publikisht të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e spektaklit. Ai vlerësoi maksimalisht bendin, producentët, Orkestrën Simfonike të RTSH-së, ekipet teknike dhe organizative, si edhe bashkëpunëtorët e afërt që punuan me orare të vështira për perfeksionin e çdo detaji. Një falënderim i veçantë shkoi edhe për drejtuesit e festivalit dhe për publikun që i ka duartrokitur nga Pallati i Kongreseve por dhe nga shtëpia.
Reagimi
Festivali mbaroi. Sigurisht do ketë kritika dhe vlerësime, mua më interesojnë të parat. Por ama të jenë kritika dhe jo mllefe nga disa tipa që e kanë kthyer në profesion gjithologun që nuk bën gjë tjetër vetëm shfryjnë frustrimet e veta në internet.
Pasi të kalojë lodhja, ju garantoj që do shkruaj edhe unë kritikën dhe vlerësimin tim për këtë aktivitet të magjishëm. Por në këtë moment kur mendja të thotë “shijo të dielën pa prova që në mëngjes” dua të falenderoj disa disa njerëz që i japin ngjyra të forta punës time në festival.
Çunat e mi të bendit që janë gati në kufijtë e heronjve, duke u përleshur me partitura dhe duke patur mendje të kthjellët @kejdibarbullushi @cimidule @georgeorjoe @francifjerca @himadenis @haritjon_laja dhe të paepurin Eldi Smaja i cili është Akili i bandës. Dua të falenderoj ata që sfidojnë moshën me orare çnjerëzore në studio dhe produksione duke u kujdesur që çdo gjë të jetë gati në perfeksion dhe që mua më shijon edhe shoqëria me ta @shpetimsaracii @a.kacinari @dodecarmonia
Të gjithë çunat dhe gocat e @orkestrasimfonikertsh që janë aq profesionistë si në ekzekutim si edhe duke qesh me batutat e mia. Dua ti falenderoj çunat e ASLV, Altinin, Xhikun, Benin që dergjen në punë orar e paorar dhe si shoh njëherë me stres e më japin vetëm qetësi e siguri. @reditreni një profesionist i frikshëm dhe tepër i balancuar kur vjen puna te kërkesat e personelit.
Elisën dhe Lilën të palodhura, goca model që RTSH bën mirë ti vlerësojë në maksimum për aftësitë organizative. @desantilalika Tola ime e dashur që më ke veshur gjithë lezet e më ke fut dëshirën me u martu prapë me u vesh si dhëndër. E shumë të tjerë që të më falin që spo i përmend por i kam falenderuar gjithmonë kur kam patur mundësinë. Drejtorin e festivalit, Aldon, faleminderit mik për gjithçka bëre për ne. Në fund fare dua tju falenderoj ju për fjalët e mira që këto ditë më keni shkruar në person, duke vlerësuar punën time që prapë mbetet modeste në raport me trashëgiminë e këtij aktiviteti herkulian. Ju çmoj e ju dua. Shijoni festat dhe mos e vrisni shumë mendjen, çdo gjë është OK.
