
Makina përfundon në kopshtin e një banese, policia arreston tre adoleshentë dhe një burrë 40-vjeçar për drejtim të rrezikshëm
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Britaninë e Madhe, ku një aksident fatal ka marrë jetën e një të riu 18-vjeçar dhe ka lënë të plagosur rëndë një vajzë 17-vjeçe. Përplasja ndodhi rreth orës 00:55 të mëngjesit të së shtunës, kur një automjet tip Ford Fiesta gri doli nga rruga dhe u përplas në kopshtin e një banese në zonën Baildon, në afërsi të Bradford.
Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku gjetën makinën me dy persona brenda. Drejtuesi i mjetit, 18 vjeç, u shpall i vdekur në vend, ndërsa pasagjerja 17-vjeçare u transportua në spital me dëmtime serioze. Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se gjendja e saj është e rëndë, por e stabilizuar.
Sipas policisë së West Yorkshire, nga hetimet paraprake rezulton se Ford Fiesta po lëvizte në të njëjtën kohë me një automjet tjetër, një Suzuki Swift i bardhë, pak para aksidentit. Në kuadër të hetimeve, tre djem 18-vjeçarë janë arrestuar nën dyshimin për shkaktim vdekjeje nga drejtimi i rrezikshëm i mjetit. Po ashtu, një burrë 40-vjeçar është arrestuar për drejtim të rrezikshëm dhe ndihmë ndaj një të dyshuari.
Të gjithë të arrestuarit ndodhen në paraburgim dhe po merren në pyetje, ndërsa policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes apo disponojnë pamje filmike të përplasjes ose të dy automjeteve përpara aksidentit, të bashkëpunojnë me policinë përmes numrit zyrtar të kontaktit.
