
Francezi barazon rekordin historik të Cristiano Ronaldos dhe i dedikon golin idhullit të tij në fanellën e Real Madridit
Në sfidën kundër Sevillas në La Liga, Kylian Mbappé shkroi një tjetër faqe të rëndësishme në karrierën e tij, duke arritur kuotën e 59 golave në një vit kalendarik. Me këtë shifër, sulmuesi francez barazoi rekordin e vendosur nga Cristiano Ronaldo në vitin 2013, një arritje që kishte mbetur e pathyer për më shumë se një dekadë.
Momenti i golit u shoqërua me një festim simbolik. Mbappé imitoi gjestin e famshëm siuu të Ronaldos, duke e shndërruar realizimin jo vetëm në statistikë, por edhe në një homazh të drejtpërdrejtë për idhullin e tij. Një skenë që elektrizoi tifozët dhe u bë menjëherë virale.
Pas ndeshjes, ylli francez u shpreh se barazimi i këtij rekordi ishte diçka e pabesueshme për të. Ai theksoi se Cristiano Ronaldo është një pikë referimi absolute për futbollin botëror dhe figura më e madhe në historinë e Real Madrid. Sipas Mbappé, marrëdhënia mes tyre ka qenë gjithmonë pozitive, me Ronaldon që e ka ndihmuar dhe këshilluar që nga momenti i përshtatjes së tij në Madrid.
Francezi shtoi se zakonisht ka mënyrën e vet të festimit, por këtë herë zgjodhi të bëjë festimin e Ronaldos për t’ia dedikuar atij këtë rekord historik. Një gjest respekti që tregoi jo vetëm admirimin e Mbappé, por edhe lidhjen e veçantë mes dy emrave të mëdhenj të futbollit modern.
Ndeshja ndaj Sevillas në kuadër të La Liga do të mbahet mend jo vetëm për rezultatin, por për një moment simbolik ku e shkuara dhe e tashmja e Real Madridit u bashkuan në një festim të vetëm.
