
Ceremonia e kalimit të detyrës zhvillohet sot në orën 10:00, ndërsa Braho nis një mandat trevjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje
Sot në orën 10:00, në Prokurorinë e Posaçme mbahet ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga Altin Dumani te kryeprokurori i ri i SPAK, Klodian Braho, i zgjedhur me shtatë vota nga anëtarët e Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Drejtuesi i SPAK ushtron detyrën për një mandat trevjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Altin Dumani, i cili pasoi Arben Kraja si drejtues i parë i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, do të vijojë punën si prokuror i SPAK deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati i tij nëntëvjeçar.
Klodian Braho vjen në krye të SPAK pas një rrugëtimi të gjatë në sistemin e drejtësisë. Karriera e tij nisi më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë dhe diplomimit në Shkollën e Magjistraturës. Ai shërbeu fillimisht në Prokurorinë e Beratit deri në vitin 2012, ku u angazhua në hetimin e çështjeve penale dhe ndërtoi bazat e profilit të tij profesional.
Në vitin 2012 u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku deri në vitin 2015 mbajti edhe funksionin e zëvendësdrejtuesit. Në këtë periudhë u dallua për menaxhimin e dosjeve voluminoze dhe çështjeve me ndjeshmëri të lartë. Në vitin 2015, me vendim të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Braho u transferua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime që lidhnin zyrtarë të lartë me krimin e organizuar.
Pas shpërbërjes së Krimeve të Rënda dhe krijimit të SPAK më 19 dhjetor 2019, Braho u emërua prokuror i posaçëm, pasi ishte konfirmuar më herët në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në SPAK ai u angazhua kryesisht në hetimet për korrupsion, duke trajtuar dosje që preknin administratën publike, pushtetin vendor dhe krimin ekonomik.
Ndër çështjet më të njohura që ai ka ndjekur është ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, e cila përfundoi me një dënim të formës së prerë me dy vite burg për fshehje pasurie dhe me konfiskimin e pasurive. Si prokuror i çështjes, Braho i dërgoi autoriteteve italiane letërporosi për ekstradimin e Llallës, i cili ndërkohë kishte përfituar azil politik në Itali.
Në mars 2023, Braho u tërhoq nga një pjesë e hetimit të dosjes së inceneratorëve, pas pretendimeve të ngritura nga palë të përfshira, duke deklaruar se synonte shmangien e çdo perceptimi për mungesë transparence. Vendimi u pasua nga reagime dhe interes i gjerë publik.
Një kapitull i veçantë në karrierën e tij lidhet me periudhën në Prokurorinë e Vlorës, ku së bashku me Aurel Zarkën u konsideruan si një dyshe aktive në hetimin e çështjeve të ndjeshme, përfshirë procedimin ndaj ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Rrugët e tyre u ndanë më vonë, ndërsa më 24 korrik 2024 ishte pikërisht Braho që firmosi masën e arrestit ndaj Zarkës.
Në SPAK, Braho ka firmosur gjithashtu masa arresti në dosjen e njohur si skema 5D, ndaj disa ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, si dhe ka qenë pjesë e hetimeve për Inceneratorin e Elbasanit, një aferë me vlerë rreth 22 milionë euro. Në këtë çështje, në bashkëpunim me Arben Krajën, u çuan para drejtësisë ish-ministri Lefter Koka dhe disa ish-zyrtarë e biznesmenë, duke përfunduar me dënime me burg dhe sekuestrim pasurish.
Klodian Braho kishte kandiduar edhe në vitin 2022 për drejtimin e SPAK, por u tërhoq nga gara për arsye të pabëra publike. Këtë vit, rikandidimi i tij u mbështet nga shumica e anëtarëve të KLP-së, duke i hapur rrugën marrjes së drejtimit të institucionit më të rëndësishëm të hetimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.
