
Dosja voluminoze ekspozon biseda, përplasje dhe frikë nga tradhtia brenda grupit kriminal të Niklës, me në qendër Rexhep Rrajën
Një hetim i nisur nga autoritetet gjermane dhe i finalizuar nga SPAK ka hedhur dritë mbi një rrjet të strukturuar të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku rol qendror ka pasur Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja. Dosja bazohet kryesisht në komunikimet e dekriptuara të Sky ECC dhe përshkruan me detaje funksionimin e grupit, konfliktet e brendshme dhe panikun pas dështimeve të ngarkesave.
Sipas materialeve hetimore, mbrëmjen e 27 janarit 2021 një kamion me kanabis i nisur drejt Turqisë u bllokua në pikën kufitare të Kapikules në Edirne. Shoferi njoftoi se mjeti ishte futur në skaner dhe se gjatë kontrollit kishte dalë një njollë e dyshimtë. Ky episod mjaftoi që brenda rrjetit kriminal të shpërthente kaosi, ndërsa anëtarët nisën të dyshonin për tradhti dhe përgjime.
Gjykata e Posaçme, në vendimin për masat e sigurisë, përshkruan se anëtarët e grupit qëndruan për ditë të tëra të fiksuar pas lajmeve, duke pritur konfirmimin nëse droga ishte kapur apo jo. Komunikimet në Sky ECC, nga biseda miqësore mes ortakësh, kaluan shpejt në përplasje, akuza dhe debate për humbjet financiare.
Në këtë dosje, SPAK ka caktuar masën arrest në burg për 14 persona, mes tyre Rexhep Rraja, si edhe Islam Sefa, Ervis Shuli, Bujar Sefa, Agim Nina, Hajdar Sefa, Vidjan Baroka, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Zamir Aliaj, Aldo Gjini, Sokol Qaja, Jani Çavo dhe Marvin Bushati. Ata akuzohen për trafikim narkotikësh në bashkëpunim të posaçëm, veprimtari kriminale nga organizata kriminale dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Hetimi ka rindërtuar një skemë trafiku që shtrihej drejt Gjermanisë, Holandës dhe Turqisë. Sipas prokurorisë, lënda narkotike sigurohej në Shqipëri dhe transportohej përmes një logjistike të organizuar, ku secili anëtar kishte rol të përcaktuar. Gjykata vlerëson se bashkëpunimi nuk ishte i rastësishëm, por i qëndrueshëm dhe i strukturuar.
Dosja shënon një tjetër kapitull në historinë kriminale të familjes Rraja, e njohur prej vitesh për ndikim politik dhe ngjarje të rënda në zonën e Krujës. Rexhep Rraja ishte bërë i njohur më herët për çështje dhune, ndërsa anëtarë të tjerë të fisit janë përfshirë në atentate dhe operacione të trafikut ndërkombëtar të drogës, përfshirë arrestime dhe dënime në Shqipëri dhe Belgjikë.
Një nga episodet më domethënëse të dosjes lidhet me dështimin e trafikut të 236 kilogramëve kanabis drejt Turqisë. Bisedat e përgjuara tregojnë se grupi kishte ndjekur çdo hap të transportit, nga paketimi me ngjyra të ndryshme deri te gjurmimi me GPS i kamionit. Por pas bllokimit nga autoritetet turke, rrjeti u përfshi nga paniku. Rexhep Rraja shfaqet i shqetësuar për mundësinë e gjurmëve të gishtërinjve në pakot e drogës dhe urdhëron pastrimin e tyre, duke theksuar se ato ishin prekur nga një person i afërt.
Një tjetër episod flet për bllokimin e 475 kilogramëve kokainë në Holandë, një ngarkesë që sipas SPAK vinte nga Ekuadori. Edhe në këtë rast, përgjimet tregojnë se goditjet nuk e ndalnin grupin, i cili përgatitej paralelisht për ngarkesa të reja.
Prokuroria konkludon se Rexhep Rraja ka pasur rol aktiv organizues në të paktën një nga episodet dhe ka qenë në dijeni të plotë për të tjerat. Sipas SPAK, faktet provojnë ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili ka operuar për një periudhë të gjatë pavarësisht goditjeve nga autoritetet.
