
I riu me dy identitete ishte në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Malagës për arrest me burg
Një 37-vjeçar nga Tirana ka rënë në prangat e policisë shqiptare, pasi kërkohej nga autoritetet spanjolle për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. I arrestuari është shtetasi Gjergji Ceka, i njohur edhe me identitetin Gjergj Kola, i cili rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye gjatë operacionit të koduar Operacionalja 76, i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale. Operacioni u finalizua në Tiranë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e të kërkuarit.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Malagës, në Spanjë, me vendim të datës 14 nëntor 2025, i kishte caktuar masën e sigurisë arrest në burg për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike.
Autoritetet bëjnë me dije se tashmë Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madrid, do të ndjekë procedurat ligjore për ekstradimin e 37-vjeçarit drejt Spanjës, ku ai do të përballet me drejtësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Operacioni është pjesë e vijimit të goditjes së personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe forcimit të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të huaja në luftën kundër kriminalitetit.
