
Të dhënat e BE tregojnë se vendi ka eksportuar masivisht moshën aktive, ndërsa popullsia rezidente po plaket me shpejtësi
Mosha e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit rezulton dukshëm e re, duke konfirmuar se emigracioni ka goditur drejtpërdrejt shtresën më aktive të shoqërisë. Sipas të dhënave të publikuara nga Cens Hub i Bashkimit Europian, rreth 70% e shqiptarëve që jetojnë në vendet e BE janë deri në 45 vjeç.
Nga rreth 2.2 milionë shqiptarë që ndodhen jashtë Shqipërisë, mbi 60% janë në moshë pune aktive nga 15 deri në 49 vjeç. Grupi më dominues është ai i moshës 30–49 vjeç, që përbën 40.7 % të totalit. Kjo shpërndarje është pothuajse e njëjtë si për meshkujt ashtu edhe për femrat, duke treguar se emigracioni shqiptar nuk është më fenomen i njëanshëm gjinor, por ka marrë karakter familjar dhe të qëndrueshëm.
Në kontrast të fortë me diasporën, struktura demografike brenda vendit po plaket me ritme të shpejta. Pesha e grupmoshave mbi 50 vjeç është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa të rinjtë dhe moshat në kulmin e produktivitetit ekonomik janë tkurrur ndjeshëm, si pasojë e emigracionit dhe rënies së lindshmërisë.
Në emigracion, grupmoshat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa moshat mbi 85 vjeç janë pothuajse të papërfillshme. Kjo tregon qartë se emigrimi shqiptar është kryesisht emigrim i të rinjve dhe moshës së mesme, jo i pensionistëve. Ndërkohë, rreth 19% e shqiptarëve jashtë vendit janë nën 15 vjeç, fakt që dëshmon praninë e familjeve emigrante dhe një proces afatgjatë vendosjeje në vendet pritëse.
Nga pikëpamja ekonomike dhe demografike, këto të dhëna konfirmojnë se Shqipëria ka humbur në mënyrë disproporcionale kapitalin njerëzor në moshë pune. Ndërsa jashtë vendit shqiptarët kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendeve pritëse, brenda Shqipërisë po rritet presioni mbi sistemin e pensioneve, shëndetësinë dhe financat publike.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se emigrantët shqiptarë janë më të rinj edhe në krahasim me popullsinë e vendeve ku jetojnë. Në dekadën e fundit, emigrimi shqiptar drejt Gjermanisë përbëhej në 56 % nga meshkuj, në Greqi 53% dhe në Itali 51 %, çka reflekton një balancë gjithnjë e më të madhe gjinore.
Migrimi i shqiptarëve ka rrënjë të hershme historike, i dokumentuar që nga shekujt XV dhe XVI, por në dekadat e fundit ai ka marrë përmasa të reja dhe ka prodhuar pasoja të thella demografike, sociale dhe ekonomike. Tendenca mbetet ende aktive, duke e kthyer emigracionin në një nga sfidat më serioze për të ardhmen e vendit.
