
Partia Popullore fiton në Extremadura, ndërsa e djathta ekstreme shënon rritje të fortë në një bastion historik të PSOE
Zgjedhjet e parakohshme rajonale në Extremadura kanë sjellë një goditje të fortë politike për socialistët spanjollë dhe kryeministrin Pedro Sánchez. Fituesja e zgjedhjeve rezulton Partia Popullore, e cila ka dalë forcë e parë në këtë rajon të perëndimit të Spanjës, duke përmbysur dominimin shumëvjeçar të socialistëve.
Sipas rezultateve zyrtare pothuajse përfundimtare, me 99 % të votave të numëruara, Partia Popullore ka siguruar rreth 43 % të votave dhe 29 nga 65 vendet në parlamentin rajonal. Megjithatë, ky rezultat nuk i jep shumicë absolute dhe e detyron të kërkojë mbështetje për qeverisje nga Vox.
Vox ka qenë një nga fitueset kryesore të këtyre zgjedhjeve, duke rritur ndjeshëm peshën e saj politike. Ajo ka kaluar nga 5 në 11 mandate dhe ka marrë afro 17 % të votave, duke u shndërruar në faktor vendimtar për formimin e qeverisë rajonale.
Në krahun tjetër, PSOE ka pësuar një rënie të thellë elektorale. Socialistët kanë humbur 14 pikë përqindjeje dhe 10 vende në parlament, duke zbritur në rreth 26 % të votave dhe vetëm 18 deputetë. Kjo humbje është veçanërisht simbolike, pasi Extremadura ka qenë për dekada një nga bastionet kryesore të socialistëve dhe ishte qeverisur prej tyre deri në vitin 2023.
Zgjedhjet u zhvilluan në një rajon me ekonomi kryesisht bujqësore dhe rreth një milion banorë, në një klimë të rënduar politike për qeverinë qendrore. Ato ishin të parat pas vendimit të një gjykate për të dërguar në gjyq ish-ministrin e Transportit José Luis Ávalos, një aleat i afërt i kryeministrit Sánchez. Ávalos ndodhet në paraburgim dhe akuzohet për marrje ryshfeti në këmbim të kontratave publike, ndërsa prokuroria ka kërkuar për të një dënim prej 24 vitesh burg. PSOE e ka përjashtuar atë nga partia, ku ishte anëtar prej vitit 1981.
Përtej kësaj çështjeje, hetimet për korrupsion kanë përfshirë edhe rrethin familjar të kryeministrit. Gruaja e tij, Begoña Gómez, si dhe vëllai i tij, David Sánchez, janë nën hetim. David Sánchez akuzohet se ka përfituar nga ndikimi politik i vëllait për të siguruar në vitin 2017 një post drejtues në fushën e arteve dhe argëtimit në administratën provinciale të Badajoz, në jugperëndim të Extremadurës.
Sipas autoriteteve spanjolle, David Sánchez pritet të dalë në gjyq në maj të vitit 2026 për ushtrim ndikimi, së bashku me dhjetë të pandehur të tjerë, mes tyre edhe kandidati socialist për drejtimin e rajonit, Miguel Ángel Gallardo. Ndërkohë, PSOE është përballur javët e fundit edhe me kritika të forta publike për mënyrën se si ka menaxhuar raste të dyshuara të ngacmimit seksual që përfshijnë figura të larta të partisë.
Rezultati në Extremadura shihet nga analistët si një sinjal paralajmërues për socialistët në prag të sfidave të ardhshme elektorale dhe si një tjetër tregues i rritjes së ndikimit të së djathtës dhe të ekstremit të djathtë në skenën politike spanjolle.
