
Autoritetet dyshojnë për krim pasioni, 41-vjeçari arrestohet në Rusi dhe vendoset në paraburgim
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Dubain, ku një asistente fluturimi 25-vjeçare është gjetur e pajetë në një dhomë hoteli me pesë yje. Sipas autoriteteve, e reja ishte sulmuar disa herë me një mjet të mprehtë, duke humbur jetën në vend.
Për vrasjen dyshohet ish-bashkëshorti i saj, Albert Morgan, 41 vjeç, i cili u arrestua nga autoritetet ruse pas mbërritjes në Shën Petersburg, në bazë të një urdhri gjykate ndërkombëtare. Hetuesit dyshojnë se motivi i krimit lidhet me xhelozinë dhe konfliktet e mëparshme mes çiftit.
Sipas mediave ndërkombëtare, Morgan kishte udhëtuar drejt Dubait i shoqëruar nga një person tjetër, i cili dyshohet se e ka ndihmuar të identifikonte dhomën ku qëndronte viktima. Ai arriti të hynte në hotel duke u paraqitur si klient dhe më pas ndodhi përplasja fatale mes tyre.
Autoritetet arritën të identifikonin të dyshuarin përmes pamjeve të kamerave të sigurisë së hotelit. Pas krimit, Morgan u largua nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u ndalua në Rusi. Mediat raportojnë se përpara arrestimit ai kishte paraqitur edhe kërkesa për t’u rekrutuar për të luftuar në Ukrainë, një praktikë që sipas burimeve është përdorur nga persona të dyshuar për krime për t’iu shmangur ndjekjes penale.
Gjykata e Distriktit Oktyabrsky në Shën Petersburg ka urdhëruar mbajtjen e tij në paraburgim për dy muaj, ndërsa ai akuzohet për vrasje sipas nenit 105 të Kodit Penal Rus. Sipas autoriteteve, gjatë martesës dyvjeçare, viktima kishte kontaktuar disa herë policinë për konflikte të dhunshme, por më pas kishte tërhequr ankesat.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa rasti ka rikthyer vëmendjen mbi dhunën në marrëdhëniet intime dhe pasojat e saj tragjike.
