Një hetim i nisur nga autoritetet gjermane dhe i finalizuar nga SPAK ka ekspozuar rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës të drejtuar nga anëtarë të grupit të Niklës, me në qendër djalin e ish-deputetit socialist, Rexhep Rraja.
Mbrëmjen e 27 janarit 2021, shoferi i një kamioni që po transportonte kanabis drejt Turqisë njoftoi “shefin” e tij në Tiranë se kishte ngecur në kufi, në pikën e kalimit të Kapikules në Edirne.
“Jam në skaner,” shkroi ai përmes një mesazhi në aplikacionin Whatsapp.
Pak minuta më vonë, ankthi u rrit, ndërsa shoferi i identifikuar si Tomi shkroi sërish: “Po bëjnë kontroll fizik, Ka dalë me njollë”.
Mesazhet u shpërndanë menjëherë në rrjetin e kriptuar Sky ECC, ku organizatorët dhe pronarët e drogës prisnin me padurim që kamioni ta kalonte kufirin. Kaq mjaftoi që i gjithë grupi, një dyzinë personash bashkë me djalin e një deputeti socialist të kohës, Rexhep Rraja, të përfshihej në kaos dhe në teori komploti për ‘tradhti’.
Sipas vendimit për masë sigurie të Gjykatës së Posaçme, anëtarët e grupit qëndruan për ditë me radhë të fiksuar para televizorit në pritje të lajmeve që konfirmonin kapjen ose jo të drogës, ndërsa komunikimet e tyre në Sky ECC u transformuan nga biseda miqësore prej ortakësh me terma vëllazërorë, në kërcënime dhe përplasje për paratë e humbura.
Komunikimet e SKY ECC rreth këtij episodi trafiku janë vetëm një fragment i dosjes voluminoze të SPAK, e cila çoi në caktimin e masave të sigurisë “arrest në burg” për 14 persona, përfshi Rexhep Rrajën, djali i ish-deputetit Rrahman Rraja, një figurë që për vite me radhë ka simbolizuar ndërthurjen e politikës me botën e krimit në zonën e Fushë-Krujës.
Gjykata theksoi rrezikshmërinë e lartë shoqërore të të akuzuarve, duke vendosur masën e sigurimit personal “arrest në burg” për të gjithë listën e të dyshuarve. Përveç Rexhep Rrajës, janë lëshuar urdhra arresti edhe ndaj Islam Sefa (Xaka), Ervis Shuli, Bujar Sefa (Xaka), Agim Nina (Lorenc Selmani), Hajdar Sefa (Lala), Vidjan Baroka, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Zamir Aliaj (Çoku), Aldo Gjini (Lamandi), Sokol Qaja, Jani Çavo dhe Marvin Bushati.
Ata akuzohen për veprat penale të “trafikimit të narkotikëve” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Sipas dokumenteve të siguruara, SPAK ka rindërtuar skemën e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike drejt Gjermanisë, Holandës dhe Turqisë. Hetimi, i cili nisi pas një raporti të autoriteteve gjermane nga Braunshvajgu (Braunschëeig), zbuloi se grupi siguronte lëndën narkotike në territorin shqiptar, duke e kultivuar ose blerë, dhe e trafikonte atë përmes një logjistike të sofistikuar.
