Në Gjykatën e Prishtinës janë administruar prova për vrasjen e Liridona Ademajt. Pamjet tregojnë momentin nga darka e fundit e familjes ku ishte Liridona, Naimi dhe fëmijet.
Ndërkohë pas pak minutave në të kundërtën e tyre ulet edhe Granit Plava, autori i vrasjes.
Në pamjet shihet momenti kur Naim Murseli e sinjalizon duke prekur hundën që të nisë aksionin.
Po ashtu, janë shfaqur video edhe nga shtëpia kur së bashku me fëmijët dalin nga aty dhe hipin në makinë.
Më pas në një tjetër moment në seancën Naim Murselit i janë vendosur edhe pamjet e vrasjes, ku dëgjohen krismat dhe britmat e fëmijëve.
Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve, siç përshkruhet edhe në Aktakuzë, kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithmonë sipas aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.
Sipas dosjes kete plan Naim Murseli e ndau me familjarin e tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por më tej ka gjetur personin tjetër, Granit Plavën.
Gjithmonë sipas dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blenë një armë të tipit “Zastava”, me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.
Në të njëjtën ditë dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin ku paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar që e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.
Në dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava.
Më pas Naimi ka dalë nga makina me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale të vrasjes së rëndë.
I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën e vrasjes në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ndërroi jetë. Për të gjithë këtë rast Plava do të kompensohej me një shumë prej 30,000 eurosh.
