
Forca të shumta sigurie rreth Kryeministrisë, autobote me ujë dhe masa të shtuara për tubimin e orës 18:00
Rreth 1300 efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës së opozitës që pritet të nisë sot në orën 18:00 në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare.
Sipas informacioneve, në gatishmëri të plotë ndodhet edhe njësia speciale RENEA, e cila do të ndërhyjë vetëm në rast se situata përshkallëzohet dhe rrezikohet rendi apo siguria publike. Autoritetet theksojnë se udhëzimi kryesor për efektivët është tregimi i kujdesit maksimal dhe shmangia e ndërhyrjeve, përveç rasteve kur ato janë të domosdoshme.
Pranë Kryeministria e Shqipërisë janë pozicionuar pesë autobote me ujë, si masë parandaluese në rast tensionesh, ndërsa godina e institucionit është blinduar. Këto masa janë pjesë e planit të sigurisë të hartuar për protestën, e cila pritet të mbledhë mbështetës të opozitës nga e gjithë Shqipëria.
Leja për tubimin është dhënë për një kohëzgjatje prej dy orësh, megjithatë organizatorët nga Partia Demokratike nuk kanë saktësuar ende nëse protesta do të zgjasë më shumë se afati i miratuar.
