
Misioni nga Brazili përfundon në dështim vetëm dy minuta pas ngritjes, aksionet e kompanisë bien ndjeshëm
Kompania koreanojugore e teknologjisë hapësinore Innospace ka pësuar një dështim të rëndë në përpjekjen e saj të parë për një fluturim komercial, pasi raketa HANBIT-Nano shpërtheu pak minuta pas nisjes nga Alcantara Space Center.
Raketa u ngrit në orën 22:13 me orën lokale, pesë ditë më vonë se afati i planifikuar fillestar. Pamjet e shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale tregojnë se rreth dy minuta pas nisjes, mjeti ajror pësoi një anomali gjatë fluturimit dhe shpërtheu në ajër.
Sipas Forcave Ajrore të Brazil, faza fillestare e fluturimit u zhvillua normalisht në trajektore vertikale, por një problem teknik i paqartë çoi në shpërthimin e raketës. Autoritetet njoftuan se ekipet teknike dhe zjarrfikësit po analizojnë mbetjet dhe zonën e rënies për të përcaktuar shkaqet e sakta të incidentit.
Lajmi pati ndikim të menjëhershëm edhe në tregjet financiare, ku aksionet e Innospace ranë me rreth 24 %, rënia më e madhe e regjistruar që prej gushtit. Kjo goditje vjen në një moment kritik për kompaninë, e cila synon të hyjë në tregun global të lëshimeve komerciale të satelitëve të vegjël.
Fluturimi ishte planifikuar të transportonte tetë ngarkesa të regjistruara dhe pesë satelitë të vegjël, me mbështetje operative nga autoritetet braziliane. Ky nuk ishte problemi i parë për misionin, pasi një nisje e mëparshme ishte shtyrë për shkak të një defekti në sistemin e ftohjes së oksiduesit të fazës së parë dhe kushteve të pafavorshme atmosferike.
Megjithatë, Innospace ka pasur edhe suksese më herët. Në mars të vitit 2023, kompania realizoi me sukses nisjen testuese të mjetit HANBIT-TLV nga Brazili, për të vlerësuar performancën e motorit hibrid 150 kN. Dështimi i fundit, megjithatë, hedh hije mbi ambiciet e saj afatshkurtra dhe rrit presionin për transparencë dhe përmirësim të standardeve të sigurisë në misionet e ardhshme.
