
Policia deklaron se gjatë protestës u hodhën molotovë drejt Kryeministrisë dhe u plagosën efektivë e një qytetar
Katër persona janë arrestuar dhe gjashtë të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pas protestës së zhvilluar një ditë më parë nga opozita në Tiranë. Sipas Policisë së Shtetit, arrestimet dhe procedimet lidhen me aktet e dhunës të ndodhura gjatë tubimit, ku u hodhën molotovë, lëndë piroteknike dhe sende të forta në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Autoritetet bëjnë me dije se nga incidentet janë lënduar dy punonjës policie, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore, si edhe një qytetar që u përfshi nga flakët e një molotovi, duke pësuar djegie. Pas përfundimit të protestës, Policia Kriminalistike ka kryer veprime në terren për të mbledhur prova dhe për të dokumentuar dëmet e shkaktuara.
Hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të personave përgjegjës dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa Policia paralajmëron se do të veprojë ligjërisht ndaj çdo shkeljeje të rendit dhe sigurisë publike.
