
Operacioni i ushtrisë amerikane në Paqësorin lindor pjesë e fushatës kundër karteleve, rriten kritikat për ligjshmërinë e sulmeve
Ushtria e Shtetet e Bashkuara ka kryer një tjetër sulm ndaj një mjeti detar të tipit low profile në Paqësorin lindor, i dyshuar për lidhje me trafik droge dhe organizata terroriste. Si pasojë e goditjes, autoritetet amerikane konfirmuan vdekjen e një personi, ndërsa pamjet e publikuara tregojnë një gjurmë zjarri mbi sipërfaqen e detit pas sulmit.
Sipas deklaratës zyrtare të SOUTHCOM, sulmi u krye me urdhër të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Komanda Jugore e SHBA bëri me dije se asnjë pjesëtar i forcave amerikane nuk u lëndua gjatë operacionit dhe se objektivi ishte një mjet i përdorur nga grupe të cilësuara si terroriste.
Operacioni është pjesë e fushatës së administratës së presidentit Donald Tramp kundër trafikut të drogës dhe karteleve që veprojnë kryesisht në rajonin e Venezuelës dhe rrugët detare përreth. Vetëm këtë vit, numri i viktimave nga këto sulme ka kaluar shifrën 100, sipas një bilanci të përpiluar nga AFP, duke përfshirë goditje në Detin e Karaibeve dhe Paqësorin lindor.
Ngjarja vjen mes tensioneve të shtuara politike, pasi Tramp së fundmi ka sugjeruar dorëheqjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, si dhe ka deklaruar se SHBA mund të mbajë apo edhe të shesë naftën dhe anijet e sekuestruara në brigjet venezueliane. Maduro ka reaguar ashpër, duke i kërkuar Uashingtonit të fokusohet te problemet e brendshme dhe të respektojë sovranitetin e vendit të tij.
Ndërkohë, kritikët ndërkombëtarë dhe organizata të të drejtave të njeriut kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë e operacioneve ushtarake amerikane në ujëra ndërkombëtare, duke theksuar mungesën e provave publike për akuzat ndaj mjeteve të goditura. Administrata Trump ka mbrojtur veprimet e saj, duke argumentuar se goditjet janë të domosdoshme për sigurinë kombëtare dhe luftën globale kundër trafikut të drogës.
