
Pas arrestit të shtëpisë për shkelje të barazisë në tendera, drejtoresha e AKSHI merr vendimin e fundit për vijimësinë e institucionit
Pas skandalit me tenderat që ka përfshirë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, drejtoresha Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet në masën arrest shtëpie, ka ndërmarrë një veprim të fundit administrativ për garantimin e funksionimit të institucionit. Përmes një urdhri zyrtar, Karçanaj ka deleguar kompetencat drejtuese, duke ia besuar menaxhimin e përkohshëm të AKSHI-t Romina Kostanit.
Vendimi vjen në një fazë delikate për institucionin, teksa hetimet e SPAK ndaj Karçanajt vijojnë për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, një çështje që ka ngritur dyshime për ndërhyrje dhe favorizime në procedurat e prokurimit publik.
Sipas urdhrit të firmosur në mbështetje të legjislacionit në fuqi, kompetencat për drejtimin dhe koordinimin e aktivitetit të AKSHI-t do të ushtrohen nga Romina Kostani, ndërsa strukturat drejtuese përgjegjëse për agjendën digjitale, monitorimin dhe mbrojtjen kibernetike, si edhe infrastrukturën e qeverisjes elektronike, janë ngarkuar me zbatimin e menjëhershëm të vendimit.
Urdhri parashikon gjithashtu angazhimin e sektorit të arkivë-protokollit për njoftimin e strukturave përkatëse dhe hyrjen e tij në fuqi pa vonesë, me qëllim shmangien e çdo bllokimi administrativ në një periudhë të konsideruar kritike për institucionin.
Me këtë lëvizje, AKSHI synon të ruajë stabilitetin operativ dhe vijimësinë e projekteve strategjike, ndërsa procesi hetimor ndaj Mirlinda Karçanajt vijon dhe pritet të sjellë zhvillime të reja në ditët në vijim.
