
Një stuhi e fortë në Kolorado shkaktoi defekt teknik në orët atomike që përcaktojnë kohën kombëtare amerikane
Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar një devijim të pazakontë në kohën zyrtare, duke mbetur pas standardit global me 4.8 mikrosekonda, pas një stuhie të fuqishme që goditi shtetin e Kolorados javën e kaluar. Incidenti ndodhi në ambientet e National Institute of Standards and Technology në Boulder, institucioni që prej vitit 2007 përcakton kohën zyrtare të SHBA.
Stuhia me erëra të forta dhe dëmtime të infrastrukturës elektrike detyroi kompaninë energjetike të kryente ndërprerje sigurie për të shmangur rrezikun e zjarreve. Megjithëse orët atomike vijuan punën falë baterive rezervë, një gjenerator ndihmës në qendrën e NIST dështoi, duke shkaktuar ndërprerje në sistemin e matjes dhe shpërndarjes së kohës.
Si pasojë, koha e njohur si UTC(NIST), që përdoret si standard kombëtar amerikan dhe është e dallueshme nga koha universale globale, u ngadalësua me 4.8 mikrosekonda. Sipas fizikantit mbikëqyrës të NIST, Jeff Sherman, diferenca është njëkohësisht e vogël dhe e madhe, pasi edhe devijime kaq minimale mund të ndikojnë sisteme kritike.
Ekspertët paralajmërojnë se një ndryshim i tillë mund të ketë pasoja në telekomunikacion, sinjalet GPS, infrastrukturën dixhitale dhe shërbime të tjera që varen nga saktësia ekstreme e kohës. Gjatë incidentit, shërbimet e internetit të kohës në Boulder mbetën pa referencë të saktë, duke theksuar brishtësinë e sistemeve shumë të specializuara.
Energjia elektrike tashmë është rikthyer plotësisht në objekt, ndërsa po kryhen kontrolle dhe riparime për të garantuar që standardi i kohës amerikane të rikthehet në sinkron të plotë me pjesën tjetër të botës.
