Prokuroria e Sarandës ka çuar në gjyq tre persona të dyshuar për rrëmbimin e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit, ngjarje që ka ndodhur gjatë vitit 2023.
Në bankën e të akuzuarve janë Albi Mecini, Sebastjan Lataj dhe Sofokli Baxherri, të cilëve u ngarkohen tre akuza: rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit, deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore, si dhe trafikimi i mjeteve motorike.
Hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë, duke përfshirë gjetjen e personave të rrëmbyer dhe identifikimin e të dyshuarve të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në këtë rast.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.M., S.B., dhe S.L. për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Trafikimi i mjeteve motorrike” parashikuar nga nenet 109/3, 305/b dhe 141/a/2 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.169/2023 dhe 369/2025 (ndarë nga procedimi penal nr.169/2023) në lidhje me ngjarjes e rrëmbimit të shtetasve L.Th. dhe F. S., dërgohet për gjykim çështja penale në ngarkim të të pandehurve si më poshtë:
1. A. M, i dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” parashikuar në nenin 109/3 dhe 25 të K.Penal;
2.S. B, i dyshuar për veprën penale “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga neni 305/b i K.Penal; dhe
3. S. L, dyshuar për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorrike” parashikuar nga neni 141/a/2 i K.Penal.
Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë po vijojnë hetimet për gjetjen e shtetasve të rrëmbyer dhe identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.
Si ka ndodhur rrëmbimi?
Në 6 prill ishte planifikuar vetëm rrëmbimi i Leonard Thodhorit për shkak të një marrëveshjeje që ka shkuar keq, por ky i fundit pasi ka nuhatur rrezikun, dyshohet të ketë kërkuar ndihmën e pronarit të disko “El Dorado” në Ksamil, Fatmir Sulovari. Ky i fundit ka qenë i armatosur me pistoletë. Edhe pse ishin dy, autorët kanë tërhequr në një “takim-grackë” dy viktimat dhe i kanë dërguar në një grackë të sigurtë në Sarandë. Për ngjarjen, deri më tani është arrestuar vetëm Sofokli Andrea Baxheri, i cili ka qenë ndihmës, ndërsa në kërkim janë shpallur 5 persona të tjerë (2 prej të cilëve me rol kryesor në grup), të cilët dyshohet se janë larguar për në Dubai. Mes personave të dyshuar për këtë ngjarje është edhe një shtetas me origjinë nga veriu i Shqipërisë./
