Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, vlerësoi muajin e kaluar se Rusia mund të jetë në gjendje të sulmojë një vend të NATO-s në krahun lindor të aleancës deri në vitin 2029, pas rindërtimit të forcave të saj të armatosura.
Garanci të besueshme sigurie nga SHBA-të për Kievin
Vandeful theksoi gjithashtu rëndësinë e garancive të besueshme perëndimore të sigurisë për Kievin, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa negociatat për një armëpushim në Ukrainë vazhdojnë.
“Kjo sigurisht do të thotë një angazhim dhe një gatishmëri të vërtetë nga ana e atyre që bëjnë premtimet për të qëndruar pranë Ukrainës nëse ajo sulmohet përsëri nga Rusia”, tha Vandeful për DPA-në.
Ministri i jashtëm tha se Ukraina duhet të jetë e përgatitur të bëjë lëshime – duke përfshirë lëshime të mundshme territoriale – nëse këto shoqërohen me garanci të besueshme sigurie nga Perëndimi, kryesisht Shtetet e Bashkuara.
Ai tha se edhe evropianët duhet të kontribuojnë.
Mënyra se si janë strukturuar këto kontribute është diçka që “do ta diskutojmë në thellësi sapo të kemi një armëpushim dhe sapo të shohim se Rusia është vërtet e gatshme të mendojë seriozisht për paqen”, tha Vandeful.
Moska duket e gatshme të negociojë, shtoi ai, por kjo nuk është e njëjta gjë me një gatishmëri të vërtetë për paqe.
“Nuk e kemi parë këtë deri më sot”, tha Vandeful.
