
Presidenti amerikan prezanton një klasë të re luftanijesh me kapacitete bërthamore, armë hipersonike dhe rol kyç në fuqinë detare të SHBA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka njoftuar krijimin e një klase të re luftanijesh të Marinës amerikane që do të mbajnë emrin e tij, Tramp Class, duke thyer një traditë të gjatë ushtarake sipas së cilës këto nderime zakonisht u rezervohen figurave historike pas largimit nga detyra.
Njoftimi u bë në rezidencën Mar-a-Lago në Florida, në prani të sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe sekretarit të Marinës John Phelan. Sipas Tramp, fillimisht do të ndërtohen dy anije të kësaj klase, por numri i tyre mund të rritet ndjeshëm në vitet në vijim.
Trump i përshkroi anijet Tramp Class si disa nga mjetet luftarake sipërfaqësore më vdekjeprurëse të ndërtuara ndonjëherë nga United States Navy. Ai deklaroi se ato do të kenë një zhvendosje prej 30 mijë deri në 40 mijë tonë, duke i bërë shumë më të mëdha se shkatërruesit dhe kryqëzorët aktualë amerikanë, edhe pse më të vogla se luftanijet historike të klasës Iowa, të nxjerra jashtë shërbimit në vitet 1990.
Sipas detajeve të bëra publike, Tramp Class pritet të pajisen me një arsenal të avancuar armësh, përfshirë raketa moderne, topa të rëndë, sisteme lazer dhe armë hipersonike ende në fazë zhvillimi. Një element veçanërisht i ndjeshëm është aftësia e tyre për të mbajtur raketa lundruese detare me koka bërthamore, duke shtuar ndjeshëm fuqinë parandaluese të SHBA në det.
I pyetur nëse këto anije janë të drejtuara kundër Kina, Tramp minimizoi këtë interpretim, duke deklaruar se ato janë një kundërpeshë për këdo dhe jo specifikisht për Pekinin. Megjithatë, zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar prej kohësh se Kina po avancon me ritme shumë më të shpejta në ndërtimin e flotës detare, duke krijuar shqetësime serioze në Pentagon për balancën e fuqisë detare globale.
Tramp theksoi se synimi i tij është rikthimi i SHBA si një superfuqi në ndërtimin e anijeve luftarake dhe garantimi që flota amerikane të mbetet më e fuqishmja në botë për dekadat që vijnë. Ai shtoi gjithashtu se do të përfshihet personalisht edhe në dizajnin estetik të luftanijeve, duke u shprehur se pamja e tyre është po aq e rëndësishme sa fuqia ushtarake.
Njoftimi për Tramp Class pritet të hapë debate të forta politike dhe ushtarake, si brenda SHBA ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, për shkak të implikimeve strategjike, bërthamore dhe simbolike që mbart kjo klasë e re luftanijesh.
