
Më 10 shtator, mijëra qytetarë francezë dolën në rrugë në kuadër të “Mouvement du 10 septembre”, një ditë mobilizimi të shpallur me moton “Bllokojmë gjithçka”. Edhe pse vendi nuk u paralizua, protestat dhe bllokimet prekën shumë qytete dhe infrastrukturë kyçe.
Sipas ministrisë së brendshme, gjatë ditës u zhvilluan 550 tubime dhe 262 bllokime në të gjithë territorin, ku morën pjesë rreth 175 mijë persona. Sindikata CGT foli për 250 mijë protestues. Në Paris dhe qytete të tjera të mëdha, ndërhyrja e forcave të rendit ishte e menjëhershme: 80 mijë policë dhe xhandarëu mobilizuan, ndërsa u përdor gaz lotsjellës, që në orët e para të mëngjesit për të shpërndarë grupet që tentonin të bllokonin rrugë, nyje transporti dhe stacione autobusësh.
Bilanci i përplasjeve ishte i rëndë: 473 persona u arrestuan, mes tyre 203 në Paris, dhe 339 u vendosën në paraburgim. Megjithatë, organizatorët theksuan se mesazhi i ditës arriti qartazi te qeveria: protestuesit e bënë të qartë se kërkesa e tyre e përbashkët është dorëheqja e presidentit Emmanuel Macron.
Lëvizja e 10 shtatorit shihet si një test force i protestave të ardhshme, me organizatorët që tashmë po mendojnë për aksione të reja në javët e ardhshme.