
Operacioni “Neonët 4 ” zbulon një tjetër ambient të fshehtë, në pranga edhe punonjës të OSHEE, qindra bimë kanabisi të sekuestruara
Një tjetër rast i kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura është goditur nga policia në Velipojë, ku një 22-vjeçar kishte marrë me qira një banesë dhe e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave. Në pranga ka rënë Gjovalin Binaku, banues në zonën e Vaut të Dejës, i arrestuar në flagrancë gjatë kontrolleve të policisë.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është zhvilluar në kuadër të fazës së katërt të operacionit policor të koduar Neonët, i ndërmarrë nga strukturat e DVP Shkodër për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. Me këtë rast, shkon në shtatë numri i ambienteve të zbuluara dhe goditura gjatë këtij operacioni.
Gjatë kontrollit në banesën e përshtatur për kultivim dhe tharje kanabisi, policia ka sekuestruar mbi 300 bimë të dyshuara kanabis, një sasi lënde narkotike të tharë, dhjetëra pajisje elektrike që shërbenin për ndriçim dhe rritje artificiale, si edhe disa telefona celularë.
Në kuadër të të njëjtit operacion, janë ndaluar edhe persona të tjerë, përfshirë një punonjës të OSHEE, ndërsa dy punonjës të tjerë janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, të dyshuar për përfshirje ose favorizim të kësaj veprimtarie kriminale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrjetit dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore. Operacionet kundër kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura do të vazhdojnë në mënyrë intensive në të gjithë qarkun.
