
Pamjet e sekuestruara nga hetuesit ngrenë dyshime të forta për rrjedhje sekretesh hetimore dhe ndërhyrje të paligjshme në veprimtarinë e Policisë së Shtetit
Një element tronditës ka dalë në dritë nga hetimet që lidhen me dosjen e tenderave të AKSHI-t dhe vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, ku në fokus shfaqet roli i Ergys Agasi. Video të sekuestruara nga hetuesit tregojnë se Agasi ka qenë në dijeni paraprake për aksione policore dhe i ka dekonspiruar ato përmes komunikimeve telefonike.
Në një nga pamjet më komprometuese, Agasi dëgjohet duke folur në telefon dhe duke paralajmëruar për një aksion të afërt policor, në një gjuhë të qartë dhe pa ekuivok. Dialogu i regjistruar sugjeron se informacioni për ndërhyrjen e forcave të rendit ishte i njohur përpara se aksioni të realizohej, çka përbën një shkelje të rëndë të sekretit hetimor.
Sipas analizës së materialeve të përfshira në vendimet gjyqësore, hetuesit dyshojnë se këto video nuk janë regjistrime të rastësishme, por prova që tregojnë një model sjelljeje, ku informacione të ndjeshme policore janë shpërndarë te persona të tretë. Në rastin më të lehtë, bëhet fjalë për dekonspirim të një aksioni policor; në skenarin më të rëndë, për ndarje të qëllimshme të sekreteve hetimore dhe përdorim të tyre për interesa të caktuara.
Burime nga hetimi ngrenë dyshime se Agasi mund të ketë pasur interesa direkte në goditjen e subjekteve apo grupeve të caktuara, qoftë si rivalë në veprimtari ekonomike, qoftë për shkak të lidhjeve të ndërlikuara me interesa të tjera, të ligjshme apo të paligjshme. Kjo e bën edhe më shqetësues faktin që një civil, pa asnjë funksion zyrtar në strukturat e sigurisë, rezulton të ketë akses në informacione të një niveli kaq të lartë ndjeshmërie.
Rasti i videove të Agasit forcon dyshimet se vjedhja e të dhënave të sistemit TIMS nuk ka qenë një akt i izoluar, por pjesë e një skeme më të gjerë, ku informacioni shtetëror trajtohej si mjet presioni, paralajmërimi apo eliminimi i kundërshtarëve.
