
Hetuesit dyshojnë për rrëmbim dhe shantazh në lidhje me tenderat e AKSHI-t, ndërsa dëshmia e tij shihet si kyçe për zbardhjen e skemës kriminale
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka intensifikuar hetimet për aferën e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke kërkuar marrjen në pyetje të Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtor i AKSHI-t, i cili u zhduk për rreth dhjetë orë në rrethana të paqarta.
Ngjarja ndodhi disa javë pas rrëmbimit të biznesmenit Gerond Mece, një tjetër episod i rëndë i lidhur me hetimet për tenderat publikë. Pas zhdukjes, Shima u paraqit vetë në Komisariatin nr. 1 në Tiranë, duke deklaruar se ishte larguar pas një konflikti me partneren e tij. Megjithatë, ky version nuk i ka bindur hetuesit.
Sipas dyshimeve të SPAK, Daniel Shima mund të jetë rrëmbyer dhe shantazhuar për të ushtruar presion në lidhje me procedurat e tenderave të AKSHI-t. Për këtë arsye, dëshmia e tij konsiderohet thelbësore për të kuptuar mekanizmin e veprimit të grupit të dyshuar kriminal dhe për të zbardhur rolin e personave të përfshirë në skemë.
Hetimet e deritanishme kanë identifikuar si figura qendrore biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, aktualisht të shpallur në kërkim, të dyshuar si drejtues të grupit kriminal që vepronte përmes ndikimit në tendera publikë. Paralelisht, në masë sigurie arrest shtëpie ndodhen edhe Mirlinda Karcanaj dhe Hava Delibashi, drejtuese në AKSHI.
SPAK nuk përjashton mundësinë që në zhdukjen e përkohshme të Daniel Shimës të jenë përfshirë edhe punonjës të policisë, çka, nëse provohet, do ta rëndonte edhe më tej dosjen hetimore.
Sipas të dhënave të siguruara nga hetimi, vetëm në periudhën dhjetor 2024 – shtator 2025, kompania EA Solution, në pronësi të Ergys Agasit, ka përfituar rreth 29 milionë euro nga kompani fituese të tenderave pranë AKSHI-t, një shifër që ngre dyshime serioze për një skemë të mirëorganizuar për përfitime të paligjshme.
Marrja në pyetje e Daniel Shimës pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme të hetimit, pasi dëshmia e tij mund të hedhë dritë mbi presionet, shantazhet dhe lidhjet e errëta që, sipas SPAK, kanë shoqëruar një nga aferat më të rënda të viteve të fundit në administratën publike.
