
Presidenti ukrainas prezanton draftin e dakordësuar me SHBA-në, që parashikon garanci sigurie, integrim në BE dhe armëpushim të menjëhershëm, por paqartësitë mbi territorin dhe qëndrimi i Moskës mbeten pengesa madhore
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë publike detaje të një plani paqeje me 20 pika, të hartuar në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, i cili synon t’i japë fund luftës me Rusinë. Njoftimi u bë gjatë një takimi me gazetarë më 24 dhjetor, ku Zelensky shpjegoi përmbajtjen e dokumentit, edhe pse drafti i plotë nuk është publikuar zyrtarisht.
Plani, sipas Zelenskyt, përfshin riafirmimin e plotë të sovranitetit të Ukrainës, një marrëveshje të pakushtëzuar mosagresioni mes dy vendeve dhe krijimin e një mekanizmi monitorimi për vijën e kontaktit, me mbikëqyrje të avancuar teknologjike për të parandaluar shkeljet. Një nga pikat më të forta është ofrimi i garancive të sigurisë për Ukrainën, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, ku SHBA dhe shtetet europiane angazhohen të reagojnë në rast agresioni të ri rus.
Dokumenti parashikon gjithashtu që forcat e armatosura ukrainase të mbeten në nivelin prej 800 mijë trupash në kohë paqeje, ndërsa Ukraina konfirmon statusin e saj si shtet jothamor. Një tjetër pikë kyçe lidhet me integrimin europian, pasi plani synon anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian brenda një afati të përcaktuar, si dhe akses të privilegjuar në tregun europian.
Në plan përfshihet edhe një paketë e gjerë rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik, me fonde që mund të arrijnë deri në 200 miliardë dollarë, investime në infrastrukturë, energji, teknologji dhe rindërtimin e zonave të shkatërruara nga lufta. Po ashtu, parashikohet krijimi i fondeve të posaçme për çështjet humanitare dhe kthimi i të gjithë robërve të luftës dhe civilëve të ndaluar.
Megjithatë, pika më e ndjeshme mbetet ajo e territorit. Plani njeh de facto vijën aktuale të kontaktit në rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, duke lënë të hapur negociatat për zgjidhjen përfundimtare territoriale. Zelensky theksoi se Rusia duhet të tërheqë trupat nga disa rajone përpara se marrëveshja të hyjë në fuqi, por mbetet e paqartë nëse Moska do të pranojë këto kushte.
Plani parashikon gjithashtu mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe krijimin e një Këshilli Paqeje për monitorimin e zbatimit, i kryesuar nga presidenti amerikan Donald Trump, me pjesëmarrjen e SHBA-së, Europës, NATO-s, Rusisë dhe Ukrainës.
Edhe pse prezantimi i planit ka rritur shpresat për një armëpushim të mundshëm, vetë Zelensky pranoi se mbeten shumë pikëpyetje, veçanërisht mbi territorin dhe gatishmërinë e Rusisë për të pranuar një marrëveshje të tillë. Për momentin, fundi i luftës duket më afër se kurrë në tryezën diplomatike, por ende i pasigurt në terrenin politik dhe ushtarak.
