
Operacion në Gjirokastër, policia zbulon skemën e trafikut dhe shpall në kërkim tre bashkëpunëtorë
Një tjetër goditje ndaj trafikut të lëndëve narkotike është shënuar në Gjirokastër, ku policia ka sekuestruar rreth 51 kilogramë kanabis të destinuar për t’u trafikuar drejt Greqisë. Lënda narkotike ishte e ndarë në 48 pako dhe e fshehur në një hapësirë të improvizuar brenda shasisë së një automjeti tip Nissan.
Në flagrancë është arrestuar një 30-vjeçar me inicialet N.P., i cili po transportonte drogën, ndërsa gjatë veprimeve hetimore janë identifikuar edhe tre persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Mes tyre ndodhet edhe vëllai i të arrestuarit. Të tre janë shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë në tentativën e trafikut ndërkombëtar të kanabisit.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar gjithashtu automjetin e përdorur për transportin e drogës dhe tre telefona celularë, të cilët do t’i shërbejnë hetimit për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe roleve të secilit të përfshirë.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjithë zinxhirin e trafikut dhe për të çuar para drejtësisë personat e tjerë të implikuar, ndërsa rasti konfirmon edhe një herë përdorimin e metodave të sofistikuara për fshehjen e lëndëve narkotike në automjete që qarkullojnë drejt kufirit grek.
