Karizmatik, arrogant, i pamëshirshëm: Kush është Larry Ellison, njeriu që rrëzoi Elon Musk nga froni i më të pasurit në botë

Pasuria e themeluesit të Oracle, Larry Ellison, ka arritur këtë të mërkurë në 393 miliardëdollarë, duke e kaluar Elon Musk, kreun e Tesla dhe SpaceX, i cili zotëron 385 miliardë dollarë.
Vetëm brenda një dite, Ellison regjistroi një rritje të pabesueshme prej 101 miliardë dollarësh në pasurinë e tij, një rekord i paprecedentë në historinë e financave botërore. Ky zhvillim erdhi si pasojë e rritjes së çmimit të aksioneve të Oracle me 38% në Wall Street, pas publikimit të rezultateve tremujore të kompanisë së njohur për softuer dhe baza të dhënash.
Edhe pse më pak i njohur për publikun krahasuar me Musk, Larry Ellison është një figurë e veçantë në botën e biznesit: një vizionar i teknologjisë, por edhe një personalitet i diskutueshëm, shpesh i përshkruar si karizmatik, arrogant dhe i pamëshirshëm në stilin e tij të drejtimit.
Ky sukses e vendos 81-vjeçarin amerikan në krye të renditjes globale të miliarderëve, duke i rrëmbyer Musk jo vetëm titullin e njeriut më të pasur në botë, por edhe vëmendjen mediatike që deri më tani ai e kishte monopolizuar.