Kardiologu Edvin Prifti u mor si i pandehur, pasi dyshohet se u pagua për 7 ndërhyrje kardiake.
Mjeku i njohur Prifti, akuzohet nga SPAK për, “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “pastrim parash”.
Menjëherë pas kësaj, mjeku ka postuar një status në Facebook ku shkruan: Çdo njeri duhet të bëjë mirë dhe duhet të bëjë atë që di. Sot unë jam zyrtarisht i pandehur pas një kalvari mbi 5 vjet hetimesh, zhdukje provash dhe dosjesh, si dhe manipulimesh. Sot seanca paraprake e GJKKO, pas dy vjetësh, mori vendimin që të më çojë në gjykim. Nuk është se kisha iluzione mbi vendimin. M’u sugjerua gjykim i shkurtuar dhe ky u refuzua në mënyrë kategorike prej meje, duke qenë i gatshëm të përballem me çdo fakt dhe argument. Në këto kushte, unë ftoj të gjithë pacientët e mi, që kushdo që e ndjen, mund të vijë në gjykatë të dëshmojë se cili jam unë?!
Gjithsesi, pas seancës maratonë që pritja zgjati dy vjet, dhe seanca ishte vetëm 5 minuta, unë u ktheva në sallën e operacionit në QSUT, ku sapo përfundova me sukses operacionin e radhës të pacientit IT.
