
Nga Katedralja “Shën Nënë Tereza”, Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë apelon për stabilitet politik, ruajtje të vlerave dhe shpresë për brezat e rinj
Me rastin e Krishtlindjes, një nga festat më të rëndësishme të krishterimit, Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji, ka përcjellë një mesazh të fortë paqeje, harmonie dhe përgjegjësie shoqërore, gjatë meshës solemne të mbajtur në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
Në fjalën e tij para besimtarëve, ipeshkvi u ndal tek gjendja globale dhe ajo vendore, duke theksuar se bota po përballet me frikë, urrejtje dhe padrejtësi, si pasojë e humbjes së dashurisë dhe arsyes. Sipas tij, vendimmarrja e bazuar në interesat e të fortëve dhe jo në drejtësi po prodhon luftë, varfëri dhe plagë të thella në ndërgjegjen politike të njerëzimit.
Ai nënvizoi se kjo situatë po shkatërron shpresat e brezave të rinj dhe po i bën ata të paaftë të jetojnë në paqe dhe dashuri, duke shtuar se as gjendja mes nesh nuk është e mirë dhe se përgjegjësia për këtë u përket të gjithëve.
Ipeshkvi Dodë Gjergji u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë më shumë përgjegjësi qytetare dhe shoqërore, duke kontribuar secili në ndërtimin e një stabiliteti të qëndrueshëm politik për Kosovën, përshpejtimin e rrugës drejt familjes evropiane dhe ruajtjen e vlerave bazë të shoqërisë.
Krishtlindja, festa e lindjes së Krishtit, pas Pashkëve konsiderohet kremtimi më i rëndësishëm për besimtarët e krishterë. Ajo simbolizon mishërimin, shpresën, dritën dhe fillimin e ri, vlera që, sipas mesazhit të ipeshkvit, janë më të nevojshme se kurrë në realitetin e sotëm shoqëror dhe politik.
Me mesha të mbajtura në Katedralen “Shën Nënë Tereza” dhe në Kishën e “Shën Ndout” në Prishtinë, besimtarët katolikë në Kosovë e festuan Krishtlindjen me lutje, reflektim dhe thirrje për më shumë dashuri, paqe dhe unitet mes njerëzve.
