
Nga katedralja Ngjallja e Krishtit, Kryepeshkopi thekson se lindja e Krishtit është thirrje për shpresë, dashuri dhe përgjegjësi shpirtërore
Me rastin e festës së Krishtlindjes, Kryepeshkopi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopi Joan, përcolli një mesazh të thellë shpirtëror nga Katedralja Ngjallja e Krishtit, duke theksuar se bota sot ka nevojë më shumë se kurrë për dritën e Krishtit.
Në predikimin e tij, Kryepeshkopi Joan u ndal tek kuptimi thelbësor i Krishtlindjes, duke theksuar se kjo festë nuk ka të bëjë me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi, por me ndërhyrjen e vetë Perëndisë në histori. Sipas tij, Biri i Perëndisë u bë njeri për ta shëruar natyrën njerëzore, për ta ringritur lirinë e saj dhe për ta bashkuar njeriun me hyjnoren.
Ai theksoi se Krishti, si Perëndi-njeri, ka fuqinë të gjallërojë dhe të transformojë natyrën njerëzore në një mënyrë që askush tjetër nuk mund ta bëjë. Krishtlindja, sipas Kryepeshkopit, është një thirrje për t’u bashkuar me engjëjt në lavdërim dhe për të jetuar këtë mister me gëzim dhe përkushtim.
Duke reflektuar mbi mënyrën se si u shpall lindja e Krishtit, Kryepeshkopi Joan theksoi se kjo ngjarje iu ofrua të gjithëve, por dha fryt vetëm tek ata që kishin dëshirë dhe vullnet të mirë. Ndërsa për disa lajmi solli gëzim dhe shpresë, për të tjerë ai u shndërrua në frikë, errësirë dhe refuzim.
Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, Kryepeshkopi bëri thirrje që lajmi i mirë i lindjes së Krishtit të shpallet me gëzim dhe pa u lodhur, duke theksuar se është detyra e çdo të krishteri ta ndajë këtë dritë me të tjerët. Vetëm duke e ndarë, drita ruhet dhe rritet, ndërsa nëse mbetet e fshehur, ajo zbehet dhe humbet.
Ai nënvizoi se një jetë pa praninë e Zotit shndërrohet në një jetë pa dashuri, pa dritë dhe pa shpresë. Vetëm prania e Krishtit, sipas tij, mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat e njerëzve dhe t’i japë jetës kuptim, gëzim dhe paqe.
