Aktori amerikan Pat Finn, i njohur për rolin e tij në serialin e famshëm Friends, ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare pas një beteje disavjeçare me kancerin.
Finn u shua në shtëpinë e tij në Los Angeles të hënën, më 22 dhjetor, pas trajtimeve që po ndiqte që nga viti 2022. Lajmi u konfirmua nga familja e tij përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ai u përshkrua si një njeri që “nuk takoi kurrë të huaj, por vetëm miq që ende nuk i njihte”.
Pat Finn lindi në Evanston, Illinois, dhe studioi në Universitetin Marquette, ku luajti futboll dhe u miqësua me aktorin e ndjerë Chris Farley. Më vonë, të dy jetuan në Çikago dhe iu bashkuan trupës së njohur të humorit Second City.
Në karrierën e tij televizive, Finn u shfaq në disa nga sitcom-et më të njohura amerikane. Një nga rolet e tij të para ishte ai i Dan Coleman në “The George Wendt Show”. Më pas, ai luajti në seriale si “Murphy Brown”, “The Drew Carey Show”, “That ’70s Show” dhe Seinfeld.
Në vitin 2000, Pat Finn u bë i njohur për publikun e gjerë me rolin e Dr. Roger, i dashuri i Monicës, në dy episode të serialit “Friends”. Gjatë viteve, ai u shfaq gjithashtu në “Curb Your Enthusiasm”, “House”, “2 Broke Girls”, “The Goldbergs” dhe disa prodhime të tjera televizive.
