
Sondazhi Odoxa tregon se qytetarët kërkojnë më shumë stabilitet ekonomik, ulje të pasigurisë dhe kontroll më të fortë të emigracionit
Pas një viti të shënuar nga pasiguria dhe lëkundjet politike, francezët hyjnë në prag të vitit 2026 me pritshmëri të qarta dhe konkrete. Rritja e fuqisë blerëse dhe përmirësimi i sigurisë janë dy prioritetet absolute që dominojnë shqetësimet e opinionit publik, sipas një sondazhi të realizuar nga Odoxa në bashkëpunim me Backbone Consulting për Le Figaro.
Sipas të dhënave të anketës, 43 %e të pyeturve e rendisin rritjen e fuqisë blerëse si kërkesën kryesore për vitin e ardhshëm, ndërsa 42 % kërkojnë ulje të ndjeshme të pasigurisë. Diferenca minimale mes këtyre dy temave tregon se për qytetarët francezë, jeta e përditshme, çmimet dhe ndjenja e sigurisë janë tashmë më të rëndësishme se debatet politike.
Një tjetër shqetësim i rëndësishëm mbetet emigracioni. Rreth një e treta e francezëve shprehen se dëshirojnë një ulje të emigracionit gjatë vitit 2026, duke e lidhur këtë temë drejtpërdrejt me sigurinë, shërbimet publike dhe kohezionin social.
Viti 2025 ka lënë gjurmë të forta në opinionin publik për shkak të paqëndrueshmërisë politike. 47 % e të anketuarve e konsiderojnë instabilitetin politik si ngjarjen më të rëndësishme që ka shënuar vitin. Nga ndryshimet e papritura në qeveri, te krizat institucionale dhe proceset e vështira buxhetore, skena politike franceze është perceptuar si e paqëndrueshme dhe e lodhshme për qytetarët.
Ky kontekst shpjegon edhe pritshmëritë për vitin që vjen. Francezët kërkojnë më pak kaos politik dhe më shumë fokus te problemet konkrete që prekin drejtpërdrejt jetën e tyre. Stabiliteti ekonomik, rendi dhe siguria, si dhe politika më të qarta mbi emigracionin, shihen si çelësi për rikthimin e besimit dhe qetësisë sociale në vitin 2026.
